Rritja e vrullshme e çmimeve në tregun e pasurive të patundshme, e nxitur më së shumti edhe nga rritja e sektorit të turizmit, ka sjellë disa shifra befasuese në treg. Agjentët thonë se ka çmime që dalin në treg kryesisht rreth zonës më elitare të kryeqytetit që variojnë nga 7 deri në 10 mijë euro metri katrorë. Por sa realiste janë këto shifra?
“Ne shohim se po zbatohen disa projekte elitare në zonën kryesore pranë qendrës së Tiranës. Në lancimin e këtyre projekteve shohim që çmimet me të cilat hidhen në treg disa prona arrijnë deri në shifra të tilla siç janë dhe 8 apo 10 mijë euro. Ne jemi të bindur se shifra të tilla nuk janë realiste. Këto shifra janë më shumë për të testuar tregun. Ato korrigjohen me kohën”, tha Reinaldo Pipiria, drejtor i shoqatës “NAREA”.Por kush janë shifrat maksimale në treg sipas shoqatës së agjentëve imobiliarë?
“Ne kemi parë që çdo pronë me çmim 4-5 mijë euro për metër katrorë kërkon shumë energji për tu shitur. Po flasim për prona rezidenciale në kryeqytet. Ndërsa bregdeti çmimi për metër katror varion nga 3500-6500 euro për metër katrorë. Këto shifra i referohen projekteve elitare në turizëm”, tha Pipiria në Vizion Plus.

Në vitin 2024, numri i kontratave të shit-blerjes të regjistruar në kadastër arriti në rreth 32 mijë, në rënie me vitet e mëparshme, për shkak të bllokimit të fushatës së rivlerësimit. Por ky nuk është numri real i shitjes së pronave, pasi shumë të tjera shiten me kontratë porosie që nuk reflektohen menjëherë në kadastër./vizionplus.tv