Ndonëse kanë kaluar madje trembëdhjetë ditë nga vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoni, emri i tij ende është temë diskutimi mes aktorëve të politikës. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut , Dimitar Kovaçevski sot në Probishtip u pyet se çfarë në të vërtetë kishte thënë për Kurtin. Ai u përgjigj mirëpo pa një sqarim konkret, përcjell TV21.
“Dinamika e deklaratave individuale dhe akte individuale nuk mund të diktojnë diskursin kryesor të fqinjësisë së mirë dhe synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e konfirmoi edhe biseda ime me presidentin serb, veçanërisht dhe deklarata e tij mirëpo në ditët e kaluara ashtu siç mund të ishit dëshmitarë edhe për deklaratën e kryeministrit kosovar i cili tha se jashtëzakonisht shumë e vlerësojmë Maqedoninë e Veriut dhe gjithçka që është e rëndësishme për marrdhëniet e mira ndërfqinjësore”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër i RMV-së.
Dy ditë më parë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, nga Athina tha se duke qëndruar së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i njëjti ka qenë shumë i ashpër për vizitën e Kurtit në Tetovë.
“E pashë kur Dimitar Kovaçevski fuqishëm i reagoi Albin Kurtit për atë që e bëri në Tetovë. Shumë fuqishëm, publikisht dhe hapur dhe dua që t’i lutë funksionerët tanë, madje edhe kur nuk kanë qëllim,të jenë të kujdesshëm që të mos u dle asgjë që do të mund të shfrytëzoheshin nga ana e disave, që të na bëjnë edhe neve të njejtë si Kurti”, pohoi Aleksandar Vuçiq , president i Serbisë.
Kovaçevski gjithashtu ishte në një vijë me zëvendësin e tij Artan Grubi kur para një jave të dy ishin të mendimit se kryeministri Kurti është keqpërdorur nga opozita shqiptare. Për këto mendime, kreu i Alternativës Afrim Gashi u përgjigj se qëndrimet e tilla janë ofendimi më i madh që mund t’i bëhet një kryeministri si Albin Kurti./TV21