2.4 C
Tetovo
E enjte, 12 Dhjetor, 2024
BallinaLajmeBotaRusia mbyll Konsullatën polake në Shën Petersburg

Rusia mbyll Konsullatën polake në Shën Petersburg

    Rusia ka urdhëruar që Konsullata polake në Shën Petersburg të mbyllet, në shenjë hakmarrjeje me mbylljen e Konsullatës ruse në Poznan të Polonisë, tha Ministria e Jashtme ruse.

    Në tetor, Polonia njoftoi për mbylljen e Konsullatës ruse në Poznan, duke e akuzuar Moskën për përpjekje të “sabotimit” të shtetit dhe aleatëve të Polonisë.

    “Duke u udhëhequr nga parimi i reciprocitetit, tre anëtarët e stafit diplomatik të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Polonisë në Shën Petersburg janë shpallur persona të padëshiruar [persona non grata]”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

    Në njoftim u tha se Konsullata duhet të mbyllet dhe stafi duhet të largohet nga Rusia deri më 10 janar 2025.

    Polonia u përgjigj se do të mbyllë të gjitha konsullatat ruse në tokën e saj nëse vazhdon të kryhet “terrorizëm”, për të cilin e ka fajësuar Moskën.

    “Nëse aktet diversionit dhe terrorizmit vazhdojnë, unë do të mbyllë konsullatat e tjera që janë në Poloni”, tha për gazetarët ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, pasi Moska njoftoi për mbylljen e Konsullatës në Shën Petersburg.

    Tensionet mes Rusisë dhe Polonisë – shtet anëtar i NATO-s – janë përshkallëzuar që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, të dyja palët kanë dëbuar dhjetëra diplomatë.

    Polonia është mbështetëse e madhe e Kievit dhe ka qenë pikë e rëndësishme për transitin e armëve perëndimore për në Ukrainë.

    Polonia e ka akuzuar Rusinë se qëndron prapa përpjekjeve të spiunazhit dhe sabotimit në territorin e saj.

    Në një nga gjykimet më të mëdha për spiunazh, Polonia vitin e kaluar dënoi 14 shtetas të Rusisë, Bjellorusisë dhe Ukrainë për përgatitje të akteve sabotuese në emër të Moskës. Polonia tha se këta persona ishin pjesë e një rrjeti të spiunazhit.

    Ata u gjetën fajtorë se kishin bërë përgatitje për të penguar trenat që bartnin ndihmë për Ukrainën, për monitorim të ndërtesave ushtarake dhe infrastrukturës kritike të Polonisë.

    RELATED ARTICLES
    - Advertisment -

    Most Popular

    Recent Comments