Ka pak dyshime se në vitin 2014, Vladimir Putini u ndje i fyer kur presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama e përshkroi Rusinë, thjesht si “një fuqi rajonale që po kërcënon disa shtete fqinje, jo për shkak të forcës së saj, por për shkak të dobësisë së saj.”
E megjithatë, njëmbëdhjetë vjet më vonë, dhe tre vjet pas përpjekjes për pushtim të plotë të Ukrainës nga ana e Putinit, sot komenti i Obamës është më i vërtetë se kurrë. Problemi është se si Putini, ashtu edhe presidenti Donald Trump, po sillen sikur Rusia të ishte e fortë, e jo si e dobët.
Shifrat e luftës tregojnë të kundërtën. Sipas vlerësimeve të reja të bëra publike nga Ministria britanike e Mbrojtjes, që nga shkurti i vitit 2022, ushtria ruse ka humbur nëntëqind mijë njerëz, prej të cilëve 200–250 mijë janë vrarë dhe pjesa tjetër janë plagosur rëndë.
Rusia po i dedikon forcave të saj të armatosura 40 për qind të buxhetit federal, që përbën 8 për qind të të gjithë Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
Megjithatë, të gjitha këto humbje dhe të gjitha këto para i kanë sjellë Rusisë vetëm kontrollin e rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës, dhe gjatë tre muajve të fundit nuk janë shënuar përparime brenda territorit ukrainas. I vetmi sukses i fundit i Rusisë ka qenë ai i tërheqjes së ushtarëve ukrainas nga rajoni i Kurskut, pranë kufirit, i pushtuar nga Ukraina në gushtin e kaluar, dhe në masë të madhe kjo ndodhi vetëm pasi Trumpi e privoi Ukrainën nga mbështetja e inteligjencës amerikane. Ushtarët ukrainas nuk janë dëbuar ende plotësisht nga Kursku.
Ekonomia ruse është treguar e aftë të përballojë dështimin e zgjatur të luftës së Putinit, por kjo nuk do të thotë se vendi është i fortë. Shitjet e naftës, gazit dhe produkteve të tjera në Kinë, Indi dhe klientë të tjerë e kanë mbajtur ekonominë në këmbë, por bankat ruse janë detyruar të japin kredi të subvencionuara për sektorin e mbrojtjes, ndërtimit dhe bujqësisë. Kjo situatë, megjithatë, nuk bën gjë tjetër veçse përgatit terrenin për telashe të tjera në të ardhmen.
Për të mbajtur nën kontroll inflacionin, Banka Qendrore e Rusisë ka rritur normat e interesit në 21 për qind, duke theksuar se pa kreditë e subvencionuara, e gjithë ekonomia do të paralizohej dhe shumë përfitues të kredive do të shkonin drejt falimentimit.
E vërteta është se lufta është nisur nga një udhëheqës autoritar që ka përdorur të vetmet armë që kishte në dispozicion: fuqinë ushtarake dhe retorikën nacionaliste. Tani, në vitin 2025, e vërteta po del në pah: pavarësisht dështimit, Putini mund të mos dëshirojë ta ndalë luftën, sepse nëse shpenzimet për përpjekjen luftarake do të ndaleshin, apo edhe vetëm do të ngadalësoheshin, ekonomia ruse do të përballej me probleme serioze.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, Obama kishte të drejtë në gjykimin e tij, por gaboi në reagim: nëse së bashku me aleatët evropianë do të ishte përgjigjur me vendosmëri dhe forcë ndaj agresionit të Putinit, Rusia mund të ishte zmbrapsur. Por u zgjodh të vendoseshin sanksione të papërfillshme dhe të buta, të vazhdohej me blerjen e gazit rus dhe investimet në gazsjellës të rinj, dhe gjithë kjo përfundoi duke e inkurajuar Putinin të vazhdonte rrugën e tij të mbushur me kërcënime që kulmuan me pushtimin katastrofik.
Ky ekuilibër i çuditshëm mes forcës personale të Putinit dhe dobësisë kombëtare të Rusisë është pikërisht ajo që si Trump, ashtu edhe udhëheqësit evropianë do të bënin mirë ta kishin parasysh. Deri tani Trump duket se po përsërit gabimet e Obamës dhe kancelares Angela Merkel në vitin 2014: në bisedat e tij kokë më kokë me Putinin më 18 mars, si dhe në takimet ndërmjet njerëzve të tij që merren me politikën e jashtme dhe zyrtarëve rusë në Arabinë Saudite dhe në Moskë, Trump ka tentuar ta bindë Putinin të pranojë një armëpushim, në vend që ta detyrojë ta bëjë këtë.
Ja ku përfundojnë të gjitha llafet e Trumpit për “marrëveshje ekonomike të jashtëzakonshme”: ai po sugjeron – me shumë gjasa nën inkurajimin e vetë Putinit – se, nëse arrihet paqja, do të ketë përfitime ekonomike të çdo lloji si për Amerikën, ashtu edhe për Rusinë. Po përsëritet historia e gazsjellësve Nord Stream nën Detin Baltik: iluzioni se ariu rus mund të zbutet vetëm nëse e ushqen me bollëk.
E megjithatë, as Putini vetë e as zyrtarët e ish-KGB-së që janë pranë tij nuk kanë nevojë për ushqim shtesë: ata janë tashmë të pasur përtej çdo dëshire. Për sa kohë që kapja e Putinit mbi pushtetin mbetet e fortë, ata kanë shumë pak për t’u shqetësuar për ekonominë ruse. Në masën që shqetësohen, kanë vetëm një interes: ta vazhdojnë luftën, sepse në atë drejtim tashmë është orientuar në masë të madhe ekonomia dhe punësimi.
Putini nuk do të tundohet të bëjë paqe.
Ai nuk ka nevojë të bjerë pre e joshjes së “marrëveshjeve”, dhe as të jetë i interesuar për bisedat që tashmë kanë nisur ndërmjet kompanive gjermane, italiane dhe të vendeve të tjera evropiane për rifillimin e blerjes së gazit rus sapo të arrihet paqja. Përpjekja e Trumpit për ta joshur dhe diskutimet e evropianëve për blerjet e gazit do ta bindin vetëm se kundërshtarët e tij perëndimorë janë të dobët dhe të korruptuar – ashtu siç ka thënë gjithmonë.
Fatkeqësisht, një paqe e qëndrueshme mund të arrihet me shumë gjasa vetëm përmes presioneve, dhe jo përmes joshjes. Mbetet të shohim nëse Trumpi dhe këshilltarët e tij do ta kuptojnë këtë, dhe nëse do të jenë të gatshëm të ushtrojnë vërtet presion ndaj Putinit duke rifilluar dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe duke zbatuar “sanksionet masive” ndaj Rusisë, të cilat Trumpi ka kërcënuar se do i vendosë, por pa dhënë asnjë shenjë se do t’i përkufizojë apo aq më pak do t’i vërë në zbatim.
Ndërkohë, e gjithë kjo konfirmon temën thelbësore të epokës sonë: barra e vërtetë bie mbi Evropën. Për të ushtruar presion mbi një Putin të fortë dhe një Rusi të dobët, duhet të përshtatim një shprehje të vjetër dhe të “vendosim paratë dhe ushtrinë aty ku flasim”, pra të bëjmë më shumë sesa thjesht të flasim për problemin.
Me të drejtë, Britania e Madhe, Franca, Polonia dhe vende të tjera po hartojnë plane afatgjata për të mbrojtur Evropën pa ndihmën e amerikanëve gjatë dekadave të ardhshme.
Edhe Komisioni Evropian po harton plane afatgjata, për t’u mundësuar vendeve anëtare të marrin borxhe të reja për të investuar në mbrojtje. Por rezistenca ndaj joshjes së Putinit tregon se sfidat më të mëdha janë ato afatshkurtra: të forcohet sot rezistenca e Ukrainës dhe të dëshmohet nesër aftësia e Evropës për të vënë në dispozicion njerëz dhe mjete për të garantuar sigurinë.
Kur kancelari Friedrich Merz të marrë zyrtarisht detyrën, ai mund të japë një kontribut të parë të rëndësishëm duke autorizuar transferimin në Ukrainë të raketave gjermane Taurus me rreze të gjatë veprimi, gjë që ishte refuzuar nga paraardhësi i tij. Më pas, triumvirati i përbërë nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe duhet të zbulojë plane konkrete dhe të besueshme për dërgimin e trupave dhe forcave ajrore në Ukrainë, duke treguar se janë të gatshëm të jenë në terren menjëherë pas firmosjes të një armëpushimi.
Vetëm duke dhënë një demonstrim të menjëhershëm force mund të zbutet me të vërtetë ariu rus. / Në shqip nga bota.al