Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha këtë të diel se mbështet plotësisht synimet e Izraelit në luftën e tij në Rripin e Gazës, duke thënë se Hamasi duhet të shfaroset patjetër.
Deklaratat Rubio i bëri në konferencën e përbashkët me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa po zhvillon vizitën e tij të parë në Lindjen e Mesme.
“Presidenti Trump ka qenë shumë i guximshëm në lidhje me pikëpamjen e tij se cila duhet të jetë e ardhmja e Gazës. Jo të njëjtat ide të lodhura të së kaluarës, por diçka që është e guximshme. Dhe kjo ide mund të ketë tronditur dhe habitur shumë njerëz, por nuk mund të vazhdojmë me një njëjtin cikël prej kohësh dhe të mos kemi zgjidhje. Lidhur me Hamasin, presidenti ka qenë shumë i qartë. Hamasi nuk mund të vazhdojë si një forcë ushtarake apo qeverisëse në atë territory”, tha Rubio.
Netanyahu përshëndeti planin e Trump për shndërrimin e rripit të Gazës ndërsa theksoi se me mbështetjen e SHBA, asgjë nuk është e pamundur.
“Izraeli dhe Amerika qëndrojnë krah për krah për t’iu kundërvënë kërcënimit të Iranit. Ne pajtohemi që ajatollahët nuk duhet të kenë armë bërthamore dhe ne gjithashtu pajtohemi që agresioni i Iranit në rajon duhet të marrë fund. Gjatë 16 muajve të fundit, Izraeli i ka dhënë një goditje të fuqishme degëve terroriste të Iranit. Nuk kam asnjë dyshim se ne mund dhe do ta përfundojmë punën e nisur”, tha Netanyahu.
Këto deklarata vijnë vetëm dy javë përpara përfundimit të fazës së parë të armëpushimit mes Izraelit dhe grupit militant Hamas i cili synon t’i jap fund luftës.
Faza e dytë, në të cilën Hamasi do të lirojë dhjetëra pengje të mbetura në këmbim të më shumë të burgosurve palestinezë, një armëpushim të qëndrueshëm dhe tërheqjen e forcave izraelite, ende nuk është negociuar.