Rrëshqitjet e dheut në rrugën 146 në Tetovë kanë nxjerrë në sipërfaqe gypin e ujësjellësit që furnizon këtë lagje. Banorët thonë se rruga është rrezik për ta, ndërsa në kohën e dimrit për ata është sfidë me vetë pasi që rruga rrëshqet dhe dheu shembet.“Gjendja është shumë e rëndë edhe shumë e keqe duhet të përmirësohet se jemi në zor të madh. Gjatë dimrit edhe më keq është me pllaka begatoni, në disa vende edhe është shembë rruga se ka rënë shi shumë”, tha një banor.“Është rrezik për të gjithë qytetarët se duhet të sanohet, edhe ne jemi për atë që sa më shpejtë të sanohet për qytetarët”, shtoi një tjetër banor.
“Nuk është e rregulluar poshtë krejt gropa, kodra, dimrit ngrinë rruga nuk mund të ecin veturat edhe bien këtu, kjo është”, u shpreh banori.Nga Komuna e Tetovës thonë se ekziston projekt për sanimin e rrugës 146, por tenderi ende nuk është hapur. Ata premtojnë se ekipet janë në terren dhe po e ndjekin situatën.
“Po ne më tash jemi informuar përmes mediumeve, dhe ekipet e sektorit për veprimtari komunale dhe të ujësjellësit janë në terren për të konstatuar për gjendjen që është rruga. Për rrugën në falë komuna ka më veç projekt edhe pritet që gjatë vitit të ndërtohet”, deklaroi Albion Alili – zëdhënës i Komunës së Tetovës.Lagjja 146 ka rreth 3 mijë shtëpi dhe ndodhet në rrëzë të Malit Sharr. Shumica e objekteve janë ndërtuar pa plan urbanistik të detajuar, prandaj sa herë ka reshje shiu apo bore, paraqiten rrëshqitje të dheut. Para një muaji, nga rrëshqitjet u dëmtuan edhe dy shtëpi, ndërsa gjatë reshjeve të borës, për shkak të pjerrësisë, automjetet shpesh nuk mund të lëvizin në këtë pjesë.
