Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një deklaratë të fortë kundër gazetarëve dhe medias, duke kërcënuar se do i detyrojë të zbulojnë burimet e tyre lidhur me një raport të rrjedhur nga shërbimet amerikane të inteligjencës, që vlerësonte ndikimin e sulmeve ajrore amerikane ndaj Iranit.Në një intervistë për Fox News, Trump tha se është duke shqyrtuar seriozisht ndjekje penale ndaj gazetarëve që publikuan pjesë nga raporti sekret, si dhe ndaj atyre që mund të kenë rrjedhur informacionin. Ai theksoi se qeveria e tij do të ndërmarrë hapa për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit.
Trump mbrojti sulmet ajrore të 21 qershorit, duke i cilësuar si shkatërrimtare për programin bërthamor iranian, ndonëse raporti i rrjedhur, i shpërndarë mes ligjvënësve amerikanë, pohonte se dëmi ishte i kufizuar dhe ndikimi i përkohshëm.
Presidenti akuzoi mediat si CNN dhe New York Times për “sjellje antikombëtare”, duke paralajmëruar edhe masa ligjore kundër tyre, pasi publikuan detaje nga raporti. Në një letër dërguar New York Times, avokati i Trump e quajti artikullin “të pavërtetë, shpifës dhe dëmtues për reputacionin e tij”.Nga ana tjetër, lideri suprem iranian Ali Khamenei, përmes një postimi në rrjetet sociale, e akuzoi Trump se po ekzagjeron qëllimisht për të fshehur realitetin, duke thënë se sulmet “nuk arritën asgjë”.
Pavarësisht mbrojtjes që u jep gazetarëve Kushtetuta e SHBA për mbrojtjen e burimeve, Trump la të kuptohet se mund të ndërmarrë hapa për të detyruar mediat të zbulojnë informacionin, duke u shprehur:
“Shkon tek gazetari dhe i thua: ‘siguri kombëtare – kush ta dha?’ Duhet ta bësh këtë. Dhe dyshoj se do ecim në këtë drejtim.”