Gjykata Administrative është e gatshme të shqyrtojë një numër të madh të padive të paralajmëruara nga partitë politike, në mënyrë që në afat prej 60 orëve të marrë vendime. Këtë e pohon kryetari i Gjykatës, Burim Sejdini, i cili shprehet se nëse nuk ka tentime serioze për bllokadë do t’ia dalin që me kohë t’i zgjidhin të gjitha paditë e parashtruara. Në to do të punojnë pesë këshilla të përbëra prej 28 gjykatësve të zgjedhur sipas shortit të rastësishëm. Kodi zgjedhor parashikon debate publike në të cilat parashtruesi i padisë ka të drejtën e fjalës. Sejdini shprehet se nëse vjen deri te shfrytëzimi jokorrekt i së drejtës së fjalës, atëherë ka gjasa që gjykata të bllokohet.
„Nëse është e saktë ajo që paralajmërohet në mediat se do të mbërrinin 2.000 padi. Vetëm një simulim i vogël 2.000 padi nga 5 minuta në debat publik kjo është tashmë një situatë në të cilën ne jemi jashtë afatit ligjor prej 60 orëve. Këto janë 10..000 minuta.“- deklaroi Burim Sejdini, kryetar i Gjykatës Administrative.
Gjykata Administrative është destinacioni i radhës për partitë dhe koalicionet pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njëzëri i refuzoi 2.142 ankesa që ishin parashtruar gjatë fundjavës lidhur me votimin dhe rezultatet e zgjedhjeve. Padi paralajmëruan VMRO-DPMNE-ja, si edhe koalicioni Aleanca-Alternativa dhe E Majta. Padi ka parashtruar edhe një person fizik për shkelje të së drejtës së votës.