9.1 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaEkonomiRritja marramendëse e çmimit të bukës ka shqetësuar qytetarët

Rritja marramendëse e çmimit të bukës ka shqetësuar qytetarët

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore, posaçërisht bukës dhe prodhimeve të brumit po shton me të madhe revoltën tek qytetarët.

Në një anketë për Alsat thanë shtrenjtimi i bukës nuk mund të përballohet sidomos në familjet me më shumë anëtarë të cilat që në fillim të ditës duhet të blejnë tre ose katër bukë.

“Çdo gjë është shtrenjtuar, dal me një mijë denarë dhe kthehem pa asgjë në shtëpi. Jam e moshuar dhe ha më pak por të rinjtë që hanë më shumë, shumë është shtrenjtuar. Bukën që  blej unë është mbi 60 denarë, paramendoni unë me pensionin tim”, thotë një qytetar.

Ne që jemi pensionist, çka bëhet me ne. Unë jam pakicë, por ata që nuk kanë, që janë shumë njerëz, vështirë është. Edhe mielli është shtrenjtuar, edhe rryma, gjitha janë shtrenjtuar”, shprehet një qytetar tjetër.

Qytetarët janë të shqetësuar se rritjet e çmimeve do të vazhdojnë edhe më tutje. Disa thanë se zgjidhjen e përkohshme e shohin te përgatitja e bukës në shtëpi dhe blerjen e saj në furre ku ka bukë me çmime të ndryshme.

“I lartë është. Me një pension çfarë mund të bësh. 70 denarë i blej dy bukë nga furra. Në market janë shumë shtrenjtë. Duhet të gatuajnë në shtëpi. Nëse janë pesë anëtarë nuk kanë llogari të blejnë”, thekson një qytetar.

“Kjo rritje do të vazhdoj edhe më tutje Gjendja botërore është e tillë, ka luftë në Ukrainë, mendoj kështu do të vazhdoj. Edhe mielli është shtrenjtuar, jo vetëm buka, edhe rryma shtrenjtë, çdo gjë shkon lart. Zoti na ndihmoftë”, u shpreh një tjetër qytetar.

Tash buka shtrenjtë, ma mirë me gatu në shtëpi. A mendoni se është më lirë nëse gatuan në shtëpi? Njëjte të del por e ke rregullisht. Mielli shumë është shtrenjtuar, së tepërmi. Nëse dikur i blinim 50 kilogramë tash i blejmë 25”, tha një qytetar.

Goran Gjeorgivski nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë tha se krijimi i çmimeve të reja bëhet për shkak të rritjes së çmimit të energjisë. Madje, ai shtoi se për dallim të shteteve në rajon si Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Bosnja Hercegovina, vendi jonë nuk subvencionon shpenzimet e energjisë elektrike për kompanitë të cilat janë në industrinë e miellit.

“Te ne, çmimi është jashtëzakonisht i lart dhe normalisht çdo prodhues do të bëj analizë dhe nuk mund ta lejoj që ti vë drynin kompanisë, prandaj e ka patjetër ti rrit çmimet.  Ne tashmë jemi shoqëri kapitaliste dhe me ekonomi të tregut ku në bazë të ofertës dhe kërkesës, në bazë të çmimeve reale të energjisë krijohen çmimet e prodhimeve finale”, tha Goran Gjorgievski, Lidhja e Odave Ekonomike.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, shpenzimet e jetesës në muajin korrik krahasuar me qershorin e këtij viti janë rritur me 1,9 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë me 2,5 për qind. Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, shpenzimet e jetesës muajin e kaluar ishin më të larta për 16 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 14 për qind.

Rritje  është shënuar të buka dhe drithërat për 4,8 %, djathi dhe gjiza me 4,5 për qind, qumështi me 3,6 për qind, frutat e freskëta me 2,9 për qind dhe mish me 1.8 për qind./ Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments