Autoritetet turke kanë arrestuar afro 1.500 persona në protestat më të mëdha kundër Qeverisë në më shumë se një dekadë, tha më 25 mars ministri i Brendshëm i vendit, Ali Yerlikaya.
Protestat shpërthyen më 19 mars pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglut, rivalit kryesor politik të presidentit autoritar, Recep Tayyip Erdoganit, nën akuza për korrupsion – të cilat mbështetësit e tij i konsiderojnë të motivuara politikisht.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, tha në një postim në X – dikur Twitter – më 25 mars se deri më tani janë ndaluar 1.418 persona në “demonstrata të paligjshme”, nga të cilët afro 1.000 janë ende në paraburgim.Ai, po ashtu, dënoi ata që, sipas tij, kishin “ofenduar” anëtarët e familjes së Erdoganit.
Gaz lotsjellës dhe plumba gome
Përplasjet më të rënda mes protestuesve dhe policisë – e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome – kanë ndodhur pranë Sheshit Saraçane, afër administratës së qytetit. Megjithatë, protestat e vëzhguara në anën aziatike të Stambollit, janë zhvilluar në mënyrë paqësore.
Radio Evropa e Lirë ka folur me disa protestues në Kadikoj, ku të rinj me tatuazhe marshonin krah për krah me të moshuar me shkopinj, ndërsa demonstruesit mbanin në duar portrete të Imamoglut.
Një grua që po marshonte me flamurin turk në dorë, e cila u prezentua si Merve, tha se protesta “nuk ka të bëjë vetëm me arrestimin e Imamoglut”.“Për shumë vite, ky vend është keqtrajtuar, korrupsioni ka qenë i lartë dhe të drejtat e njeriut janë shkelur. Ne po protestojmë kundër kësaj”, tha Merve, 44 vjeç, për Radion Evropa e Lirë.
Imamoglu, 54 vjeç, u arrestua në shtëpinë e tij mëngjesin e 19 marsit bashkë me dhjetëra të tjerë në kuadër të një hetimi për korrupsion.
Më 23 mars, ai u zgjodh kandidati i partisë opozitare CHP (Partia Popullore Republikane) për zgjedhjet presidenciale të planifikuara në Turqi për vitin 2028.
Protestat kundër arrestimit të tij kanë vazhduar në shumë qytete të Turqisë gjatë gjithë javës, pavarësisht thirrjeve nga autoritetet.Një prokuror në Stamboll ka vendosur në paraburgim tetë gazetarë, duke anuluar vendimin për lirimin e tyre pasi ata u arrestuan për mbulimin e protestave më të mëdha antiqeveritare në Turqi ndër vite.
Gazetarët ishin mes 10 të arrestuarve nga bastisjet në shtëpitë e tyre në fillim të kësaj jave.Një gjykatë e Stambollit fillimisht vendosi që gazetarët të liroheshin përpara se të ndryshonin vendimin dhe të lëshonin një urdhër zyrtar arresti, sipas avokatëve dhe përfaqësuesve të tyre, raporton The Guardian.
Midis të arrestuarve janë Yasin Akgül i Agence France-Presse (AFP) dhe ish-fotoreporteri i AFP-së Bülent Kılıç.
Ata po mbahen pasi fotografuan demonstratat masive antiqeveritare që kanë përfshirë Turqinë për herë të parë në vite, të nxitura nga arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İmamoglu javën e kaluar.
Ata të gjithë po akuzohen për “pjesëmarrje në mitingje dhe marshime të paligjshme dhe dështim për t’u shpërndarë pavarësisht paralajmërimeve”, treguan dokumentet e gjykatës. Vendimi i gjykatës u cilësua si “skandaloz” nga “Reporterët pa Kufij”, teksa Unioni i Fotoreporterëve Turk e ka denoncuar atë si “të paligjshëm, të pandërgjegjshëm dhe të papranueshëm”.
Protestat kanë marrë një reagim gjithnjë e më të ashpër nga autoritetet turke. Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya, ka thënë se 1,418 persona janë arrestuar në lidhje me demonstratat.