Aksioni i Inspektoratit komunal në Tetovë për lirimin e hapësirave të uzurpuara ka shkaktuar revoltë tek pronarët e objekteve që janë duke u rrënuar. Një objekt që është rrënuar në pjesën qendrore për të cilin inspektorati insiston se është ndërtuar në pronë të uzurpuar, pronari Afrim Jonuzi thotë se e ka legalizuar me një vendim të këshillit të komunës së Tetovës në vitin 2017 dhe se lëndën e ka fituar në shkallën e dytë të gjykatës së apelit. Pronari është shprehur se objekti rrënohet pa paralajmërim, vetëm me një urdhëresë të kryetarit të komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai tha se këtë vendim do ta ankimojë në instancat gjyqësore.
Megjithatë, kreu i inspektoratit komunal në Tetovë Abdylgani Aliji, i cili ishte në vendngjarje tha se objekti në fjalë është ndërtuar në pronë të uzurpuar dhe procesi i legalizimin për të njëjtin është refuzuar dhe është dhënë një urdhër për dislokim.
“Inspektorati vazhdon të punojë në bazë të urdhëresave të këshillit dhe kryetarit, megjithatë e ka të refuzuar procedurën e legalizimit së shpejti ka edhe urdhëresë për dislokim të objektit. Ai ka bërë uzurpim të pronës publike, ajo është uzurpim që e ka uzurpuar me vite dhe që ka urdhëruar të legalizon por, urdhëresa është e kryetarit për ta shemb atë objekt pasi që pengon projektin e parkimit në këtë zonë.”- thotë Abdylgani Aliji – shef inspektoratit komunal.
Komuna e Tetovës tashmë disa muaj ka ndërmarrë një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike për të cilët pretendon se janë të uzurpuara. Objekti i cili është rrënuar sot sipas pronarit është ndërtuar para 20 vitesh.