Maqedonia e Veriut ka ende vonesa në harmonizimin e legjislacionit me acquisin e BE-së, veçanërisht në fushat e Lëvizjes së mallrave, Punëtorëve dhe Ofrimit të shërbimeve, përkatësisht kapitujt 1,2 dhe 3 të Klasterit “Tregu i brendshëm”, vëren raporti i BE-së. Mungojnë miratimet e ligjeve të nevojshme për mbikëqyrjen e tregut dhe për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale. Kapaciteti institucional mbetet i kufizuar, sidomos në Ministrinë përgjegjëse për harmonizimin me BE-në. Në sektorin e punës, ndonëse janë nënshkruar marrëveshje dypalëshe, mbeten pengesa për qytetarët e BE-së në qasjen në administratën publike dhe në shërbimet shëndetësore. Pjesëmarrja në EURES dhe parandalimi i korrupsionit janë aspekte që kërkojnë përmirësime, transmeton Portalb.mk.
Në këtë analizë, do të krahasojmë përparimin e Maqedonisë së Veriut në disa fushat kyçe të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, duke u fokusuar në dallimet ndërmjet raportit të vitit 2023 dhe atij të vitit 2024. Konkraktësisht, do të analizojmë kapitujt e “Lëvizjes së lirë të mallrave”, “Lirisë për punëtorët” dhe “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime”, duke u mbështetur në rekomandimet dhe kërkesat që janë parashtruar vitin e kaluar. Për secilin kapitull, do të vlerësojmë nëse kërkesat që u ngritën në raportin e vitit 2023 janë adresuar në raportin aktual të vitit 2024, si dhe nëse janë arritur përparime të rëndësishme ose ka ende mangësi të theksuara. Ky krahasim synon të ofrojë një pasqyrë të qartë të progresit të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe të tregojë përparimin konkret që është bërë, si dhe fushat që kërkojnë përmirësim të mëtejshëm.
Kapitulli 1: Lëvizja e lirë e mallrave
Raporti i vitit të kaluar:
- Kërkesat: Përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me acquisin e BE-së për lëvizjen e lirë të mallrave, duke përfshirë miratimin e ligjit për mbikëqyrjen e tregut dhe ligjeve të tjera për sigurinë e produkteve.
- Progresi i kërkuar: Viti i kaluar kërkonte intensifikimin e harmonizimit të legjislacionit dhe miratimin e ligjeve për mbikëqyrjen e tregut dhe përputhshmërinë me Direktivën e Sigurisë së Produkteve të BE-së. Po ashtu, kërkohej përmirësimi i kapaciteteve për inspektoratet e tregut dhe eliminimi i barrierave jotarifore.
Raporti i këtij viti:
Kërkesat e pa/realizuara:
- Pjesërisht është bërë një progres i kufizuar me miratimin e dy ligjeve të reja për sigurinë e produkteve dhe harmonizimin e mëtejshëm me acquisin e BE-së.
- Megjithatë, ligji për mbikëqyrjen e tregut nuk është miratuar ende dhe ka nevojë për rritjen e kapaciteteve inspektuese.
- Përpjekjet për eliminimin e barrierave jotarifore janë në proces, por ende nuk janë finalizuar.
- Kërkesat për harmonizim me kërkesat e BE-së për kimikatet dhe makineritë (p.sh., makinerive të lëvizshme jo-rrugore) nuk janë përmbushur, pasi ligjet përkatëse ende nuk janë miratuar.
Përfundim:
Përparim i kufizuar, disa kërkesa janë adresuar, por shumica mbeten të pa realizuara.
Kapitulli 2: Liria e lëvizjes për punëtorët
Raporti i vitit të kaluar:
- Kërkesa: Përafrimi i legjislacionit të Maqedonisë me normat e BE-së për lirinë e lëvizjes së punëtorëve, duke përfshirë përfundimin e përshtatjes së legjislacionit për qasjen në tregun e punës dhe negociatat për marrëveshjet dypalëshe për koordinimin e sigurimeve shoqërore.
- Progresi i kërkuar: Kërkohej përforcimi i kapaciteteve të Agjencisë së Punësimit dhe trajnimi i zyrtarëve për rrjetin EURES dhe ELA, si dhe eliminimi i diskriminimit për punëtorët e BE-së.
Raporti i këtij viti:
Kërkesat e pa/realizuara:
- Përparim i kufizuar. Edhe këtë vit, nuk është bërë progres i rëndësishëm në përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së për lirinë e lëvizjes për punëtorët.
- Agjencia e Punësimit ka bërë disa aktivitete për ngritjen e kapaciteteve, por nuk ka përfunduar harmonizimi i plotë i ligjeve me rregullat e BE-së.
- Marrëveshjet për koordinimin e sigurimeve shoqërore dhe njohjen e shërbimeve shëndetësore janë në proces, por nuk janë lidhur marrëveshje të reja.
- Diskriminimi i punëtorëve të BE-së për pozitat në administratën publike mbetet në fuqi.
Përfundim:
Nuk është arritur progres i dukshëm në realizimin e kërkesave të raportit të vitit të kaluar.
Kapitulli 3: E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime
Raporti i vitit të kaluar:
- Kërkesat: Përafrimi i legjislacionit të Maqedonisë së Veriut me legjislacionin e BE-së për shërbimet, përfshirë harmonizimin me Direktivat për Shërbimet Postare dhe njohjen e kualifikimeve profesionale.
- Progresi i kërkuar: Kërkohej përmirësimi i infrastrukturës për shërbimet postare dhe fillimi i zbatimit të një plani veprimi për përputhshmërinë me legjislacionin për shërbimet e BE-së, si dhe përmirësimi i njohjes së kualifikimeve profesionale.
Raporti i këtij viti:
Kërkesa e pa/realizuara:
- Përparim i kufizuar. Ligji për shërbimet postare është harmonizuar në një masë të caktuar, por ka nevojë për avancim të mëtejshëm në përputhshmërinë me acquisin e BE-së për dërgimet ndërkufitare të parcelave dhe njohjen e kualifikimeve profesionale.
- Përpjekjet për të harmonizuar ligjin për njohjen e kualifikimeve profesionale janë ende të paplotësuara. Ligji për këtë çështje është në proces dhe ende nuk është miratuar.
- Kapacitetet administrative për monitorimin e tregut postar dhe zbatimin e rregullave të reja mbeten të pamjaftueshme.
Përfundim: Ashtu si në kapitujt e tjerë, ka pasur progres të kufizuar, dhe kërkesat për përputhshmërinë me normat e BE-së mbeten të paplotësuara.
Përgjithësisht, Maqedonia e Veriut ka bërë progres të kufizuar në çdo kapitull, ku shumë kërkesa të raportit të vitit të kaluar mbeten të paplotësuara dhe ende kërkojnë përpjekje të mëtejshme. Mungon implementimi i plotë i legjislacionit të nevojshëm, kapacitetet institucionale mbeten të pamjaftueshme dhe disa barrierat kryesore (si diskriminimi për punëtorët e BE-së dhe njohja e kualifikimeve profesionale) ende janë pengesa.
- Kujtojmë se Komisioni Evropian vlerësoi se edhe prokurimet publike dhe kontrolli financiar, respektivisht kapitujt 5 dhe 32, kanë bërë përparim të kufizuar gjatë periudhës. Kërkohet që të rritet konkurrenca gjatë prokurimeve publike dhe të përdoret kriteri për tenderë ekonomikisht më të favorshëm. Bashkimi Evropian është në dijeni të korrupsionit gjatë prokurimeve dhe kërkon nga autoritetet të zbatojmë masa më efektive. Edhe këtë vit, u kërkua pavarësia e Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) e cila duhet garantuar me Kushtetutë. Nga ana tjetër, kapitulli 18, “Statistikat”, ka shënuar njëfarë progresi, por përsëri ka rekomandime nga viti i kaluar.
Raporti i KE-së për progresin në reforma të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, u publikua më 30 tetor. Në fushën e luftimit dhe parandalimit të luftës kundër korrupsionit u tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.