Në një amendament të Ligjit për Mbrojtje Nacionale, Kongresi kërkoi nga Pentagoni që të propozojë më shumë stërvitje ushtarake në Maqedoninë e Veriut vitin e ardhshëm, merret vesh nga draft-ligji i buxhetit për mbrojtje për vitin e ardhshëm fiskal.
Me këtë ligj federal SHBA-ja e konfirmon buxhetin vjetor dhe shpenzimet e Pentagonit dhe këtë vit për herë të parë në të u përfshi edhe Maqedonia e Veriut.
Në bazë të amendamentit, Kongresi udhëzon sekretarin e mbrojtjes, në konsultim me komandantin e Komandës Evropiane të SHBA-së, t’i paraqesë Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve brifing në lidhje me planet për stërvitje shtesë të NATO-s ose stërvitje të përbashkëta SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut gjatë vitit fiskal 2023 duke filluar nga 1 tetori 2022. Kjo duhet të bëhet më së voni deri më 1 dhjetor.
Komiteti fuqishëm e mbështet rolin integral të Maqedonisë së Veriut si aleate e NATO-s dhe e thekson vlerën e stërvitjeve të NATO-s ‘Përgjigja e shpejtë 22’ në Maqedoninë e Veriut për ndërveprueshmërinë e NATO-s, integrimin rajonal dhe përgjigjen kundër agresionit rus”, thuhet në Ligj.
Në të shtohet se me rëndësi thelbësore është “SHBA-ja dhe anëtaret e tjera të NATO-s të vazhdojnë të zbatojnë stërvitje të ngjashme me Maqedoninë e Veriut dhe të insistojnë për integrim të mëtutjeshëm”.
Maqedonia e Veriut u përfshi në tekstin e propozuar ligjor me kërkesë të kongresmenes Lisa Meklejn, bashkëkryetare e grupit të kongresit për miqësi me Maqedoninë dhe komunitetin maqedono-amerikan, dhe me kërkesë të Diasporës së Bashkuar Maqedonase, mësoi Zëri i Amerikës.
Drejtori i ri i Diasporës së Bashkuar Maqedonase, Gordan Jordanov, kryetari Metodia A. Koloski dhe drejtoresha për Zhvillim dhe Përparim Ema Braun, në qershor kishin takim me Mekllejn, me qëllim të kërkojnë angazhim më aktiv të SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.