Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2024 evidenton një rritje prej 0,6 pikë përqindjeje të përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore, nga 21,7% në 22,3%. Në shikim të parë kjo duket si përmirësim. Në realitet, është vetëm një lëvizje statistikore pa peshë reale.
Së pari, këto të dhëna i referohen periudhës kur Balancuesi ishte ende në fuqi, deri në tetor 2024. Pra, rritja nuk është rezultat i ndonjë politike të re apo vullneti institucional, por produkt i një mekanizmi ligjor që tashmë është shfuqizuar.
Së dyti, analiza e të dhënave sipas institucioneve e zhvesh këtë “rritje” nga çdo iluzion. Përfaqësimi i shqiptarëve nuk është i barabartë dhe nuk varet nga ligji, por nga emri i ministrit.
Në resorët që për vite me radhë janë udhëhequr nga shqiptarët, përfaqësimi shpesh ka kaluar kuotën e 25%, madje në disa raste ka arritur nivele dukshëm më të larta. Shembulli më ilustrues është Ministria e Arsimit: në vitin 2023 përfaqësimi i shqiptarëve ishte 39%, ndërsa pas ardhjes së Vesna Janevskës në krye të këtij resori, ai u ul në 31% – një rënie drastike prej 8%.
E njëjta logjikë përsëritet edhe në institucione të tjera. Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, përfaqësimi i shqiptarëve ra nga 44,4% në 38%, ndërsa në resorin që drejton Ivan Stoilkoviq u shënua një ulje shtesë prej 3,7%. Këto nuk janë devijime teknike, por vendime politike të kamufluara si “ristrukturim”.
Prandaj, rritja prej 0,6% në nivel shtetëror nuk e ndryshon faktin kryesor: përfaqësimi i shqiptarëve është selektiv, i paqëndrueshëm dhe i kthyeshëm, sapo ndryshon udhëheqja politike e një institucioni.
Me shfuqizimin e Balancuesit, rreziku është i qartë. Ajo që deri dje ishte e garantuar me ligj, sot mbetet në dorën e vullnetit politik. Dhe përvoja e vitit 2024 tregon se ky vullnet, në shumë raste, punon kundër përfaqësimit të barabartë, jo në favor të tij.Kjo nuk është reformë. Kjo është zhbalancim i qëllimshëm.Shfuqizimi i Balancuesit e hoqi pengesën e fundit ligjore. Tani përfaqësimi i shqiptarëve nuk është më detyrim shtetëror, por varet nga disponimi politik i ministrit. Dhe disponimi, siç tregojnë faktet, është kundër tyre.
Mesazhi i vitit 2024 është i qartë: shteti po kthehet në administratë njëetnike, ndërsa përjashtimi po ndodh pa zhurmë – por me pasoja afatgjata…www.telegrami .mk
=========================================
Mesut Shabani

