Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot ndau certifikatat për deputetë për mandatet e konfirmuara për deputetë. Deri më tani, certifikatat i kanë marrë përfaqësuesit e autorizuar nga Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe Koalicioni Vlen. Presim që të mbërrijnë përfaqësuesit e autorizuar nga Levica dhe Znam, ndërsa për BDI-në KSHZ ende nuk ka certifikata
Gjorgija Sajkoski, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, pas marrjes së certifikatave nga KSHZ-ja, theksoi se beson se Kuvendi duhet të formohet deri më 28 maj, ndërsa qeveria e re deri në mes të qershorit.
“Sot me ftesë të KSHZ-së ngritëm mandatet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe certifikatat e tyre. Me marrjen e certifikatave presim që deri më 28 maj të formohet Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ndërsa deri në mes të qershorit presim që të kemi Qeverinë e re në Republikën e Maqedonisë. Dua të shpreh mirënjohjen time të madhe për qytetarët e Maqedonisë, për mbështetjen që i dhanë VMRO-DPMNE-së dhe për përgjegjësinë e madhe . Por dua të theksoj se këtë përgjegjësi të tyre do ta arsyetojmë”, tha Sajkoski.
Ndryshe, para rivotimit të nesërm për zgjedhjet parlamentare në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, sot votojnë personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosurit si dhe personat e vendosur në shtëpi jashtëfamiljare. Të drejtë vote në këto qendra votimi kanë gjithsej 4.521 votues.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.