Kryetarja e Gjykatës supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Besa Ademi realizoi vizita pune në të gjitha gjykatat e apelit dhe ato themelore, si dhe në Gjykatës administrative dhe Gjykatën e lartë administrative.
Me vizitat në gjykata, siç kumtoi Gjykata supreme, u mundësua kontroll i drejtpërdrejtë i gjendjeve dhe problemeve me të cilat përballen gjykatat, ndërkaq të cilat shkaktojnë reperkusione në funksionimin e tyre.
“Njëherit, vizitat patën për qëllim të avancohet bashkëpunimi mes gjykatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, bazuar në parimet e pavarësisë së gjyqësisë nga aspekti ligjor, funksional dhe financiar”, thonë nga Gjykata.
Në suaza të vizitave u cek nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm, tejkalim të problemeve me resurset njerëzore dhe mungesën e gjykatësve dhe administratës gjyqësore, nevoja për veprim efikas dhe të përditësuar rreth lëndëve, posaçërisht rreth lëndëve të interesit të lartë publik dhe sjelljes së procedurave të brendshme për punën e gjykatave.
Gjithashtu, u cek nevoja për avancim të transparencës në pajtim me parimet për gjyqësi të hapur, përgatitje të përditësuar të projekteve për investime kapitale, punë arkivore dhe mënyrën e funksionimit të sistemit informatik në gjykata.
“Kryetarët e gjykatave më të ulëta e cekën rëndësinë e vizitave të punës dhe i përshëdnetën angazhimet e Gjykatës supreme dhe kryetares Ademi, duke cekur se në atë mënyrë avancohet bashkëpunimi i ndërsjelltë dhe i jepet mbështetje tërë procesit reformues”, ceket në kumtesë.
Në vizitat e punës u konkludua se ekziston nevojë e domosdoshme për plan konkret, masa urgjente dhe koordinim institucional në mënyrë që të tejkalohen problemet me të cialt përballen gjykatat.
“Raportet nga vizitat në gjykatat më të ulëta do të shqyrtohen në Mbledhjen e përgjithshme të Gjykatës supreme dhe do t’i parashtrohen Këshillit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ceket në kumtesë.