Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në mbledhjen e rregullt të 118-të e shqyrtoi dhe miratoi propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës që gjysma e dytë e vitit shkollor 2022/23 në vend që të filloj me 18 janar do të filloj me 23 janar ( e hënë) me prani fizike për të gjithë nxënësit.
Në sqarimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, thuhet se pushimi dimëror po zgjatet për shkak të kursimit të ngrohjes dhe mbrojtjes së shëndetit të nxënësve.
“Në të njëjtën mbledhje të Qeverisë sot është shqyrtuar dhe miratuar Plani i Veprimit për realizimin dhe zbatimin e Strategjisë Nacionale për barazi dhe mosdiskriminim 2022-2026. Plani i Veprimit i miratuar përmban një kornizë kohore dhe implikime financiare për zbatimin e Strategjisë deri në vitin 2026. Strategjia Nacionale është dokument strategjik në politikën nacionale për barazi dhe mosdiskriminim, qëllimi kryesor i të cilit është sigurimi i zgjidhjeve konceptuale në realizimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve pa diskriminim mbi asnjë bazë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.