Gjykata Kushtetuese me shumicë votash i hodhi poshtë iniciativat e dorëzuara nga Skender Rexhepi, Kenan Ali, por edhe deputetët e Frontit, Salih Murat dhe Blerim Bexheti të cilët kontestojnë vendimin qeveritar për ndryshimin e numrit të këshilltarëve në 17 komuna.
Sipas parashtruesve, vendimi qeveritar nuk kishte bazë ligjore pasi ishte i bazuar në rezultatet e regjistrimit të vitit 2021 me të cilin popullata ndahej në rezidente dhe jorezidente, por Gjykata Kushtetuese më 26 qershor të këtij viti e shfuqizoi këtë kategorizim.
Vendimit për të mos hapur procedurë, i parapriu një debat i ashpër mes gjyqtarëve. Dobrilla Kacarska, propozoi që të hidhen poshtë iniciativat pasi në bazë të Ligjit për Qeveri dhe Ligjit për Vetëqeverisje lokale, Qeverisë i jepen kompetenca për të vendosur për këtë çështje. Në një linjë me Kacarskën ishin edhe katër gjyqtarë të tjerë, që praktikisht përbënë shumicën.
Kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, iniciativat i quajti në një pjesë manipuluese e një pjesë, juridikisht të palogjikshme dhe absurde. “Vendimi qeveritar jo vetëm që është i drejtë, por është dhe ligjor dhe kushtetues, por edhe e pasqyron realitetin”, u shpreh Kostadinovski.
Metodologjinë e regjistrimit e shfuqizuam për arsye se ish drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës ka tejkaluar kompetencat, kjo është irelevante sa i përket kësaj çështje”, u rreshtua në një linjë pro hedhjes poshtë të iniciativave, gjyqtarja Tatjana Vasiq Bozaxhieva. “Ligji për Vetëqeverisjes Lokale ka të bëjë me banorët që i jetojnë problemet e komunës. Këtu është problem ligji për Vetëqeverisje Lokale”, u deklarua gjyqtarja Jadranka Daboviq Anastasovska
Në këtë drejtim ishte edhe fjalimi i Ana Pavllovska Danevës, e cila tha: “Në vendimin për shfuqizimin e disa pjesëve të Metodologjisë kemi theksuar se kjo nuk do të ketë ndikim apo pasojë juridike, por e njëjta do të vlejë vetëm për regjistrimin e ardhshëm”.
Në anën tjetër ishin të rreshtuar dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk. Osman Kadriu, në fjalimin e tij tha që iniciativat me të drejtë kontestojnë vendimin qeveritar, pasi baza ligjore e këtij vendimi, pra Metodologjia e Regjistrimit që kategorizon popullatën në rezident dhe jorezident është shfuqizuar.
“Vendimi është i paligjshëm, antikushtetues dhe i dëmshëm për qytetarët, pasi shkel të drejtën e tyre”, u shpreh Kadriu. Gjyqtari Naser Ajdari, theksoi që qeveria paushall ka përcaktuar numrin e këshilltarëve.
“Me shfuqizimin e Metodologjisë, në shtet nuk ka kategorizim të qytetarëve. Veprimet nga shfuqizimi aktualisht janë në fuqi. Vendimi është antiligjor dhe antikushtetues”. Këto qëndrime, i mbështeti dhe gjyqtari Fatmir Skender, duke vënë në theks se baza ligjore e këtij vendimi është shfuqizuar.
Sipas vendimit të Qeverisë të miratuar më 24 shtator të viti të kaluar, në 17 komuna ka ndryshim të numrit të popullatës. Në tre prej tyre, respektivisht në Studeniçan, Karposh dhe Kisella Vodë në këto zgjedhje parashikohet nga 4 këshilltarë më shumë. Megjithatë, në 14 komuna do të ketë rënie të këshilltarëve.
Më së shumti vërehet rënie te Gostivari e cila prej 31 sa ka pasur paraprakisht, tani do të ketë tetë këshilltarë më pak respektivisht 23. Në 9 komuna vërehet rënie prej 4 këshilltarë, respektivisht në Kërçovë, Kratovë, Kriva Pallankë, Strugë, Vrapçisht, Zhelinë, Jegunovcë, Novo Sellë dhe Tearcë. Rënie prej 2 këshilltarë do të ketë në 4 komuna, edhe atë në Debërc, Kumanovë, Pehçevë dhe Qendër Zhupë.