Shpresoj që mos-dakordimi për dhënien e datës nga Bashkimi Evropian nuk do të shfrytëzohet si arsyetim për mosrealizim të reformave të nevojshme, ishte ky mesazhi që ambasadorja amerikane në Maqedoni, Kejt Meri Berns (Kate Marie Byrnes) e dha në ligjëratën e hapur sot në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), transmeton Portalb.mk.
Ambasadorja amerikane, Kate Byrnes sot para studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore mbajti një ligjëratë publike.
“Unë e di se në Maqedoninë e Veriut tetori do të mbahet mend si muaji i zhgënjimit, ishte një zhgënjim i madh edhe për ne kur Bashkimi Evropian nuk i dha datë Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave, ne gjithmonë kemi qenë të zëshëm dhe kemi përkrahur integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian sepse konsiderojmë se është gjëja e duhur që duhet bërë. Mosdhënia e datës në tetor kishte shumë pak të bëje me Maqedoninë e Veriut, kurse gjithçka ishte si pasojë e vetë Bashkimit Evropian dhe këtë nuk e them vetëm unë, por edhe shumë shtete anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha ambasadorja amerikane, Kate Byrnes