Historianët dhe politikanët kërkojnë që urgjentisht të hiqen nga përdorimi të gjitha tekstet shkollore, me gabime trashanike që nxënësit shqiptarë mësojnë në Maqedoni. Këto kërkesa u bënë në emisionin e mbrëmshëm debativ ‘Rruga Drejt’, kushtuar gabimeve të cilat janë paraqitur në shumë tekste shkollore në gjuhën shqipe. Debati më i ashpër u zhvillua mes deputetit të RDK-së Izet Zeqiri dhe zv/ ministrit të arsimit Safet Neziri. “Shoqëria që e përmendët ju, paramendoni në këtë libër harta është në cirilik, nuk është në gjuhën shqipe, Greqia me flamurin e Kosovës, elementi tjetër ka tematika nacionaliste: ‘Sot në Maqedoni lindi dielli i ri i lirisë, maqedonasit luftojnë për të drejtat e tyre, ndërsa e mësojnë nxënësit shqiptarë. Paramendoni tek ky libër i historisë për vitin e dytë thuhet: ‘Në kryengritjen e Skënderbeut kanë marrë pjesë maqedonasit, shkruan në libër, kurse në kryengritjen e Krushevës nuk kanë marrë pjesë shqiptarët”, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së. Zv/ ministri i arsimit Safet Neziri tha se është duke punuar intensivisht për tërheqjen dhe përmirësimin e të gjitha gabimet që janë paraqitur në tekstet shkollore. “Kur do të tërhiqen librat? Kjo është ajo puna jonë , konceptualisht si BDI të cilën e prezantoj para jush edhe në ministri, i kemi ngul këmbët që këto punë të bëhen, këto punë nuk bëhen brenda natës. Lëvizje në këtë drejtim të përmirësimit të teksteve shkollore ka”, deklaroi Safet Neziri, zv/ ministër i arsimit. “Ju flitni dhe thoni se bëni përpjekje, lëvizni, nuk duhet të lëvizni, ju duhet të veproni urgjentisht dhe gjithë këto libra ti hidhni në kosh të plehrave dhe të dizajnohen libra për shqiptarët. Është tmerr nxënësit e muzikës të mos kenë asnjë baladë shqiptare, por të mësojnë me balada ukrainase, franceze, kurse ‘Igraj Lazare’ ta mëson fëmija im, ta mësoje ‘Eleno devojko’ dhe është e pa pranueshme ai ta mësojë ‘Majko rodi mashko çedo’ Goce Dellçevin. Nuk ndalet edhe aq, duhet ta mësoje ‘Ajde stani Milke’ edhe këngë për Kiril dhe Metodi’, asnjë këngë shqiptare, asnjë baladë shqiptare”, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së. “Është formuar komisioni pastër etnik shqiptar ka marrë komplet librin e muzikës, të gjitha këngët që kanë të bëjnë me gjuhën maqedonase janë bërë në gjuhën shqipe. Është në rend dite në komision për tekste shkollore dhe tash jemi duke menduar se si ta bëjmë, që të kalon pozitivisht, të jetë doracak për nxënësit të punojnë më këngë shqipe apo ti bashkëngjitet librit që do ti ketë elementet ku nxënësi ynë do të ketë qasje në leximin, këndimin këngëve dhe mësimin e biografisë e autorëve shqiptare e ndërkombëtar”, u shpreh Safet Neziri, zv/ ministër i arsimit. Historiani Vebi Xhemaili vlerëson se recensentët duhet të mbajnë përgjegjësi për gabimet në tekstet shkollore dhe sipas tij, nuk mundet që gjithkush të bëhet recensent. “U kisha lut, nuk guxon të jetë recensentë libri, një profesor, një magjistër, po edhe një doktor shkence që ka doktoruar tash. Recensent libri duhet të jetë me gradë shumë më të lartë se sa autori i librit, për t’ju kundërvu edhe palës tjetër edhe për ta thënë të vërtetën shkencore. Vetëm ai recensentë do të mbaje përgjegjësi edhe morale edhe historike por edhe kombëtare nëse duhet. Nuk mund të bëhet çdo kush, kur i shoh disa recensentë, e ka venduar emrin vetëm për të marrë paratë, nuk është mirë ta themi, por duhet ta themi, edhe fare nuk ka ndërhy në punët e librit apo në punët e atij autorit, ti thotë stop, se ky libër nuk shkon, nuk mund të publikohet dhe nuk mund ta përdorin nxënësit shqiptarë, këto recensentë nuk i kemi të tillë dhe të aftë”, deklaroi Vebi Xhemaili, historian. Zv/ ministri i arsimit Safet Neziri tha se dikasteri i tij ka formuar komisione për disa tekste shkollore, për gjeografinë, histori dhe muzikën për të cilat ai tha se ka gjetur mirëkuptim tek ministri i arsimit. Shkëlzen Aqifi