13.6 C
Tetovo
E premte, 6 Qershor, 2025
BallinaLajmeRinia e ASh-së së Taravarit me aksion gueril mediatik,ngjitje fletë-rrufe në murin...

Rinia e ASh-së së Taravarit me aksion gueril mediatik,ngjitje fletë-rrufe në murin Qeveritar: Vazhdon diskriminimi në administratë, nga 205 të punësuar vetëm dy janë shqiptarë(video)

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët shpreh ka hedhur akuza mbi pushtetin se po deshqiptarizon administratën publike në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre nga të dhënat e publikuara së fundmi për punësime në institucionet shtetërore dëshmohet një diskriminim sistematik dhe i qëllimshëm ndaj shqiptarëve, të cilët, siç thonë ata, përjashtohen në mënyrë të hapur nga mundësitë për punësim dhe avancim në strukturat shtetërore, transmeton Portalb.mk.

“Me veprimet e kësaj qeveria të dirigjuar komplet nga Agjenda e VMRO-së, po jepen goditje të drejtpërdrejtë ndaj kohezionit ndëretnik dhe barazisë qytetare. Në një analizë të thjeshtë numerike, nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të realizuara së fundmi në institucione si Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Regjistri Qendror, Dogana, Hidrocentarlet: Strugë, Mavrovë–Rostushë dhe Spile Dibër, dhe së fundmi në REK Manastir, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar në këto institucione, përkundër 205 maqedonasve. Ky disproporcion alarmant është tregues i qartë i një politike të qëllimshme për të zbehur përfaqësimin shqiptar në administratë”, tha Viola Ramadani, kryetare e Forumit Rinor të Aleancës.

Në këtë kontekst, thonë ata, përgjegjësia bie drejtpërdrejt edhe mbi zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, i cili “ka dështuar të mbrojë interesin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në qeverisje”.

“Mosveprimi i tij përballë këtij diskriminimi të hapur, e bën atë bashkëpërgjegjës në këtë proces të rrezikshëm antishqiptar dhe antievropian. Një zëvendëskryeministër që nuk reagon kur shqiptarët përjashtohen nga institucionet, nuk përfaqëson shqiptarët! Andaj, FRASH u bën thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë të mos pranojnë heshtjen si normalitet dhe të mos bien preh e manipulimeve të sistemit të vjetër me aktor të rinj. Barazia nuk jepet, por fitohet me reagim, me organizim dhe me presion të vazhdueshëm. Kërkojmë transparencë, përfaqësim real dhe barazi të plotë në çdo institucion. Nëse kjo nuk garantohet, atëherë rinia do të reagojë me të gjitha mjetet demokratike për ta ndalur këtë proces të rrezikshëm. E ardhmja e shqiptarëve nuk do të ndërtohet mbi heshtjen e vazalëve, por mbi zërin, organizimin dhe vendosmërinë!”, thonë nga ASH.

Koalicioni VLEN, që përfaqëson shqiptarët në qeverinë aktuale, zotohet se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore. Sipas tyre, akuzat e opozitës janë të pabaza dhe shpërfaqin një tendencë për të fshehur dështimet e tyre të mëhershme në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim në vazhdimësi del me reagime publike, ku akuzon koalicionin VLEN për degradimin e pozitës së shqiptarëve në shtet.

Kujtojmë se më 9 tetor 2024, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut shfuqizoi mekanizmin e njohur si “Balancuesi”, i cili përcaktonte punësimet në administratën publike sipas përkatësisë etnike, me qëllim promovimin e barazisë etnike dhe përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në institucionet shtetërore. Për momentin, përfaqësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore është në një fazë të pasigurtë.

Protagonistët e koalicionit VLEN tash e një kohë të gjatë vazhdimisht dalin me deklarata se është në përfundim procesi i zgjidhjes ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që nga shfuqizimi i mekanizmit juridik “Balancuesi”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments