Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me betimin e saj në parlament të dielën rindezi një debat të vjetër. Në vend të “Maqedoni e Veriut”, siç është emri i ri i vendit pas ujdisë me Greqinë, ajo përdori emrin “Maqedoni”.
Ambasadorja greke në vend, Sophia Philippidou në shenjë proteste u largua nga salla. Edhe Ministria e Jashtme në Athinë reagoi duke deklaruar më vonë, se qëndrimi i presidentes së re të vendit rrezikon marrëdhëniet bilaterale dhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkoi nga vendi të respektojë marrëveshjet e arritura, nëse do të mbetet në rrugën e anëtarësimit në BE.
Fituesit e rinj të zgjedhjeve duan të përdorin emrin e vjetër
Gordana Siljanovska-Davkova fitoi qartësisht të mërkurën zgjedhjet presidenciale si kandidate e partisë nacionaliste, VMRO-DPMNE kundrejt kandidatit socialdemokrat atëherë në detyrë, Stevo Pendarovski. Në zgjedhjet parlamentare VMRO u zgjodh po ashtu forca më e fuqishme parlamentare, e me gjasë kreu i partisë, Hristijan Mickoski do të formojë qeverinë e re. Si presidentja e re, Gordana Siljanovska-Davkova edhe politikanë të VMRO kishin bërë të ditur në zgjedhje, se nuk do të përdornin më emrin e ri zyrtar të vendit por atë të dikurshmin Maqedoni.
Presidentja e KE-së, Von der Leyen ka pohuar se Maqedonia e Veriut duhet t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e saja për rrugën e integrimeve evropiane.
“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme për anëtarësimin në BE, është thelbësore që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ka thënë Von der Leyen.