Situata në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut nuk ka lëvizur nga “pika zero”. Kështu ka deklaruar ish-Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker, në një intervistë për Tv Sitel. Riker, duke bërë të ditur se në vend ka qëndruar për disa ditë, ka thënë se ka takuar njerëz të zhgënjyer nga rezultatet e reformave në gjyqësor dhe luftës kundër korrupsionit.
“Komentet që i dëgjoj se I ka dhënë Ambasadorja Ageler, janë të njëjta me komentet e mija para 15 viteve. Ne duam të investojmë në reformat përmes prograeve të ndryshme që t`i ndihmojmë reformat gjyqësore, të edukojmë dhe mendoj se ndër vite kemi investuar mbi 560 milionë dollar që t`i mbështesim këto përpjekje dhe duam t`i shohim rezultatet e këtij investimi” – tha Filip Riker.
Komenteve që u referohet ish-Ambasadori Riker, kanë të bëjnë me letrën e Ambasadores amerikane, Anxhela Ageler, e cila më 11 Prill ua kishte dërguar institucioneve të pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, ku kishte shprehur shqetësimet e Uashingtonit për situatën në gjyqësor.
Filip Riker, aktualisht ushtron funksionin Ndihmës iSekretarit Shtetëror të SHBA-ve. Ai, ishte ambasador amerikan në Shkup nga viti 2008 deri më 2011, në kohën kur Qeveria drejtohej nga VMRO-DPMNE-ja dhe lideri partiak Nikolla Gruevski.