Për shkak të reshjeve të dy ditëve të fundit, nënkalimi në lagjen Dardania në Tetovë mbetet i mbyllur për kalimtarë.
“NPK Sharri por edhe njësiti kundër zjarrit me dy gypa sot tentojnë të zbrazin këtë uj në nënkalimin në qytetin e Tetovës, por kjo shkon shumë vështirë sepse, derisa dy gypa zbrazin ujin, shumë të tjerë që janë të objekteve të banimit që në të zezë kanë nxjerrë gypat e ujërave të zeza apo ujërave të shiut, po zbrazen në këtë vend”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Gjatë gjithë kohë jemi në terren për të parë situatën por pika më kritike është kjo këtu, andaj apeloj qytetarët që të evitojnë kalimin në këtë nënkalim sepse shiu i vazhdueshëm na vështirëson punën dhe nuk mund ta largojmë gjithë ujin për një herë”, tha Valon Zeqiri, Drejtor i NPK “SHARRI”.
Shefi i Njësitit të Zjarrfikësve të Tetovës Avni Ameti apelon inspektoratin komunal që të del në terren dhe të hetojë rastin e gypave që përfundojnë në rrugë.
“Në këtë drejtim, apelojmë inspektoratin komunal që të vijë të inspektoj lidhjet që janë bërë në të zezë që të shihet si është situata. Ne vazhdojmë 24 orë në terren duke ndjekur edhe shtratin e Lumit por edhe këtë pikë këtu”, tha Avni Ameti, shef i NJTKZ Tetovë.
Nga Komuna e Tetovës premtojnë zgjidhje të shpejtë të problemit, por pa precizuar se kur do të nisin punimet.
“Punimet për rregullimin e nënkalimit Dardania, ku gjatë reshjeve grumbullohet një sasi e konsiderueshme uji, do të fillojnë së shpejti. Operatori ekonomik tashmë është përzgjedhur dhe, sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, do të fillojë puna në terren. Projekti kap vlerën e 20 milion denarëve dhe përfshin ndërtimin të rrjetit të kanalizimit atmosferik nga ura në afërsi të hekurudhës deri te lidhja me tubacionin ekzistues, në hyrje të rrugës së vjetër për në Zhelinë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Shkaku i të reshurave, jashtë funksionit është stacioni për filtrimin e ujit për pije në Tetovë. Drejtori i NPK Sharri, thotë se ujë ka sepse janë lëshuar gjitha puset ndihmëse të qytetit./ Alsat.mk
