2.4 C
Tetovo
E martë, 21 Janar, 2025
BallinaLajmeBotaREL / Trump pas betimit: Epoka e artë e Amerikës fillon tani

REL / Trump pas betimit: Epoka e artë e Amerikës fillon tani

“Sovraniteti ynë do të rifitohet, siguria jonë do të rikthehet, peshorja e drejtësisë do të ribalancohet”, tha Trump, duke shtuar se “armatosja e egër, e dhunshme dhe e padrejtë” e Departamentit të Drejtësisë në SHBA, do të marrë fund.Ai e kritikoi administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, për trajtimin e krizës së imigrantëve, duke thënë se ajo u ka siguruar “strehë dhe mbrojtje kriminelëve të rrezikshëm” që “kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë”.

Qeveria ka dhënë “fonde të pakufishme për mbrojtjen e kufijve të huaj”, por ka refuzuar t’i mbrojë kufijtë amerikanë, tha Trump para të pranishmëve në Kongresin amerikan.

Ai shtoi se Amerika, së shpejti, do të jetë “më madhështore, më e fortë dhe më e jashtëzakonshme”.

“Rrezet e diellit po shtrihen në të gjithë botën dhe Amerika e ka rastin ta shfrytëzojë këtë mundësi si kurrë më parë”, tha Trump.

Ai bëri të ditur se do të nënshkruajë që sot një urdhër ekzekutiv, përmes të cilit do të shpallë emergjencë kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë.

Të gjitha hyrjet e paligjshme të imigrantëve “do të ndalohen menjëherë”, tha ai, duke shtuar se Qeveria do të fillojë procesin e kthimit të miliona “të huajve kriminelë” në vendet nga kanë ardhur.Trump foli edhe për trajtimin e inflacionit dhe të rritjes së kostos së energjisë – gjë që ishte pikë qendrore e fushatës së tij.

Ai tha se do t’i udhëzojë të gjithë anëtarët e kabinetit që të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre, “për të mposhtur” inflacionin” dhe “për të ulur me shpejtësi kostot dhe çmimet”.

Ai përsëriti edhe premtimin e mëhershëm se administrata e tij do t’i shtojë shpimet për naftë dhe gaz në tokën amerikane.

“Amerika do të jetë komb prodhues sërish”, tha ai, duke shtuar se vendi i tij “ka më shumë naftë dhe gaz natyror se çdo vend tjetër në tokë”.

Trump foli edhe për planet e tij për industrinë e automobilave, duke thënë se vendi do të prodhojë sërish automobila “me një ritëm që askush nuk mund ta ketë ëndërruar vetëm disa vite më parë”.

Trump, i cili vitin e kaluar u mbijetoi dy tentativave për ta vrarë, tha se “Zoti e ka shpëtuar jetën e tij” për ta bërë Amerikën sërish madhështore.

“Unë qëndroj para jush si dëshmi se nuk duhet besuar se diçka është e pamundur për t’u bërë. Në Amerikë, të pamundurën ne e bëjmë më së miri”, tha Trump.

Ai e përfundoi fjalimin duke thënë se Amerika nuk do të frikësohet.

“E ardhmja është e jona dhe epoka jonë e artë sapo ka filluar”, përfundoi Trump.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments