Polonia ka nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara në vlerë të 4.6 miliardë dollarëve për blerjen e 32 aeroplanëve të avancuar luftarakë F-35, ashtu që të rrisë mbrojtjen pas shtimit të aktiviteteve ushtarake ruse.
Presidenti polak, Andrzej Duda e ka cilësuar të premten “ditë shumë të rëndësishme për forcat ajrore polake dhe për sigurinë e Polonisë e të Evropës”.
Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, e ka nënshkruar marrëveshjen dhe i ka dorëzuar dokumentin ambasadores amerikane në Poloni, Georgette Mosbacher.
Duda ka thënë se kjo është një prej marrëveshjeve më të mëdha të nënshkruara në historinë e forcave të armatosura të Polonisë dhe një shenjë të lidhjeve të fuqishme me SHBA-në.
Departamenti amerikan i Shtetit ka përshëndetuar përkushtimin e Polonisë për modernizim të ushtrisë.
Polonia pritet të marrë dërgesën e aeroplanëve në periudhën 2024-2030.
Ky vend do të jetë shteti i 10-të i NATO-s që do të ketë këtë lloj të aeroplanit.
Forcat amerikane, izraelite dhe britanike tashmë kanë shfrytëzuar këta aeroplanë për lufime.
Aeroplanët amerikanë do t’i zëvëndësojnë pajisjet luftarake të periudhës sovjetike, MiG-29, të cilët Polonia i shfrytëzon ende./ REL