11.4 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajmeREL / "Diplomacia e maskave" e Kinës nuk po funksionon në Kosovë

REL / “Diplomacia e maskave” e Kinës nuk po funksionon në Kosovë

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë ndihma mjekësore nga Kina, në kuadër të “diplomacisë së saj të maskave të fytyrës”.

Këtu bëhet fjalë për një frazë të përdorur në mënyrë që të përshkruhet ndikimi kinez i cili është në rritje në vendet, përfshirë edhe ato të evropiane, të cilave Kina u dërgoi ilaçe dhe mjete mjekësore pas shpërthimit të krizës së koronavirusit.

Kur bëhet fjalë për Kosovën, jo vetëm që nuk kanë ardhur mjete nga Kina, por është edhe vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor në të cilin nuk ka investime ekonomike kineze. Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe respekton integritetin e Serbisë, e cila sipas Kushtetutës, ende e trajton Kosovën si pjesë të saj.

Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm kinez në Kombet e Bashkuara, Wu Haitao ka thënë vitin e kaluar se Kina mbështet zgjidhjen e çështjes së Kosovës përmes dialogut me Serbinë, si pjesë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Haitao gjithashtu ka theksuar se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme nga të dyja palët.

A ka pasur përpjekje për të vendosur ndikimin kinez?

Në rrethana të tilla, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë ndikimit kinez, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu.

I pyetur nëse ka pasur përpjekje për të vendosur ndikimin kinez në Kosovë, Kryeziu sugjeroi dy pika fillestare për vëzhgim:“E para është prania e ndërmarrjeve dhe investimeve kineze. Merrni për shembull Serbinë, e cila ka më së shumti investime kineze në Ballkan. Shumë ndërmarrje, të cilat janë në pronësi publike, i shiten Kinës. Së dyti, duhet ta shikoni atë nga një perspektivë e politikës së jashtme. Politika e jashtme e Serbisë shpesh përputhet me atë të Kinës. Asnjëra nga këto nuk po ndodhin në Kosovë,” thotë Kryeziu

Kryeziu gjithashtu thekson se politika e jashtme e Kosovës është në harmoi me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se gjithashtu është e hapur për investimet e tyre, por edhe për të tërhequr investime nga diaspora e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq, Kosova ka marrë pajisje mjekësore dhe mbrojtëse në vlerë prej 5 milionë euro nga Bashkimi Evropian për të luftuar koronavirusin, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë 1,1 milion dollarë.Ndihma mjekësore, Kosova mori gjithashtu edhe nga organizata të tilla si: USAID, UNICEF, KFOR, UNDP.

Por, kur bëhet fjalë për vendet jashtë Bashkimit Evropian, në Kosovë kanë mbërritur ndihma të rëndësishme nga Japonia, vend fqinj me Kinën.

Si i ndihmoi Japonia Kosovës?

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar më 26 maj, se Japonia ka ndarë mbi 718,000 dollarë për luftën kundër sëmundjes COVID-19, përmes UNICEF-it.

Mitsunori Ogasawara, i dërguari në ambasadën e Japonisë në Prishtinë, e cila u hap më 1 janar të këtij viti, në një takim të tij me ushtruesin e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia , tha se Japonia e konsideron krizën e COVID-19 si një krizë të sigurisë njerëzore dhe për këtë arsye dëshiron ta ndihmojë Kosovën që të përballet me të.

Ndërsa, në takimin në mes të Ogasawaras dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës në detyrë, Glauk Konjufca, ky i fundit ka bërë të ditur përmes faqes së tij në Facebook, se Qeveria japoneze ka dhënë donacion për Kosovën, 2,500 tableta Avigan (Favipiravir) për trajtimin e pacientëve kosovarë, të cilët janë të infektuar me koronavirus.

Ndërsa, në takimin në mes të Ogasawaras dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës në detyrë, Glauk Konjufca, ky i fundit ka bërë të ditur përmes faqes së tij në Facebook, se Qeveria japoneze ka dhënë donacion për Kosovën, 2,500 tableta Avigan (Favipiravir) për trajtimin e pacientëve kosovarë, të cilët janë të infektuar me koronavirus.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Japonia ka ndihmuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet e tjera me pajisje me vlerë prej 1,1 milion eurosh vitin e kaluar. Përveç kësaj, gjatë gjithë këtyre viteve, agjencia japoneze për zhvillim ndërkombëtar, JICA ka trajnuar dhjetëra profesionist shëndetësorë në Japoni.

“Japonia ka ndihmuar Kosovën në shuma fusha të tjera të shëndetit,” ka shtuar Hoti.

Përveç ndihmës në shëndetësi, Japonia deri më tani ka zbatuar disa projekte të tjera në Kosovë përmes JICA-s, siç janë projektet e zhvillimit të kapaciteteve të kontrollit të ndotjes së ajrit në Kosovë. JICA ka zbatuar gjithashtu një projekt për ndërtimin e kapaciteteve të menaxhimit të mbeturinave. Në Kosovë, më saktësisht në Mitrovicë, ekziston edhe ferma më e madhe japoneze e kërpudhave shiitake në Evropë, “Hirano Mushroom”, e cila eksporton në 12 vende.

“Japonezët janë të njohur si popull që marrin vendime të kujdesshme, dhe ne presim që rezultati i vizitës të jetë i dukshëm në muajt e ardhshëm. Ekzistojnë një numër i madh i kompanive japoneze në Evropën Qendrore, ku kostot e punës janë duke u rritur dhe ata mund të jenë të interesuar të investojnë në Kosovë,” deklaroi Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar Japoninë dy herë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, ku edhe u theksua nevoja për një bashkëpunim më të madh ekonomik gjatë një takimi me kryeministrin japonez, Shinzo Abe.

A është Tajvani i gatshëm ta ndihmojë Kosovën?

Për dallim nga Kina, e njohur zyrtarisht si Republika Popullore e Kinës, pavarësia e Kosovës është pranuar nga Tajvani (zyrtarisht Republika e Kinës), i cili është përpjekur të krijojë lidhje me Kosovën viteve të fundit. Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj.

Falë masave të hershme parandaluese, Tajvani ka arritur ta parandalojë përhapjen masive të koronavirusit, dhe kjo gjë tërhoqi vëmendjen e publikut global.

Përfaqësuesit e Tajpejit në Hungari kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se Tajvani ka dhuruar miliona maska kirurgjikale në vendet e Bashkimit Evropian të prekura nga COVID-19, por edhe për vendet e tjera (që nuk janë pjesë e BE-së).

“Duket se Kosova e ka menaxhuar pandeminë në mënyrë të kontrolluar. Nëse qeveria kërkon ndihmë për maska kirurgjikale nga Tajvani, agjencia kompetente qeveritare është e mirëpritur të bisedojë në zyrën tonë”, shtuan ata.

Ata gjithashtu kanë theksuar se po përpiqen të krijojnë një lidhje më të mirë ekonomike përmes Odës Ekonomike të Kosovës. Ndërsa, Tajvani u ka lejuar qytetarëve të Kosovës, të cilët dëshirojnë të udhëtojnë në këtë shtet, që të aplikojnë për viza falas në internet.

Për më tepër, Tajvani ka siguruar disa bursa për të rinjtë në Kosovë. Ata presin që edhe Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa për ta bërë shkëmbimin mes dy vendeve më domethënës.

Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për Kinën, megjithëse nuk ka bashkëpunim politik, ekonomik apo investime me Kosovën, ky vend është i pranishëm në Kosovë pa marrë parasysh krizën aktuale shëndetësore.

Kina është ndër eksportueset më të mëdha në Kosovë

Kina është një nga partneret kryesore tregtare të Kosovës kur bëhet fjalë për importet, thekson Rukiqi.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlera e përgjithshme e importeve nga Kina në vitin 2018 arriti mbi 311 milionë euro. Në vendin e parë ishte Gjermania me 349 milionë euro, në vendin e dytë Serbia me 388 milionë euro dhe më pas Turqia me 336 milionë euro. Importet nga Japonia në të njëjtin vit, pra në vitin 2018, arritën shifrën prej 13 milionë eurosh. Pavarësisht këtyre shifrave, Kosova mbetet shteti i vetëm i përjashtuar nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku prania ekonomike dhe politike e Kinës para dhe gjatë pandemisë, po bëhet më e fortë dhe më e dukshme.

Sa është e pranishme Kina në Ballkanin Perëndimor?

Gjatë pandemisë së koronavirusit, Serbia mori ndihmën e parë më të madhe mjekësore nga Kina më 21 mars, duke u furnizuar me mjete mjekësore, respiratorë, ilaçe maska dhe doreza. Kina gjithashtu ndihmoi edhe Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Një bilbord në Beograd ku shkruan “Faleminderit vëllai Xi”, pasi Serbia pranoi ndihma nga Kina në kohën e pandemisë.
Një bilbord në Beograd ku shkruan “Faleminderit vëllai Xi”, pasi Serbia pranoi ndihma nga Kina në kohën e pandemisë.

Presidenti kinez, Xi Jinping në Asamblenë Botërore të Shëndetit bëri të ditur se Kina do të ndajë dy miliardë dollarë të tjerë, gjatë dy viteve të ardhshme për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi), si dhe për zhvillimin e ekonomisë në vendet e prekura dhe për vendet që janë në tranzicion.

Në raportin e fundit të Freedom House, kushtuar vendeve në tranzicion, thuhet se këto vende kanë qenë prej kohësh nën ndikimin e politikës së jashtme agresive të Rusisë, qëllimi i së cilës është të destabilizojë aleancën transatlantike.

Në raport gjithashtu thuhet se në vitet e fundit, presidenti kinez, Xi Jinping ka qenë aktiv në promovimin e qëllimeve të tij të politikës ë jashtme. Freedom House vlerëson se shembulli më konkret është ndikimi i Kinës përmes zhvillimit të teknologjisë dhe mbikëqyrjes së videos.

Ndikimi teknologjik dhe investimet

Freedom House paralajmëron gjithashtu se gjiganti kinez Huawei ka nënshkruar një marrëveshje me dhjetë vende në tranzicion, në të cilat është regjistruar menaxhimi i keq dhe problemet me korrupsionin. Serbia është në mesin e këtyre vendeve që kanë nënshkruar këtë marrëveshje.

Raporti i Freedom House thotë gjithashtu se Kina po forcon ndikimin e saj përmes mediave dhe investimeve. Serbia po ndërton një hekurudhë në mes të Beogradit dhe Budapestit nga burimet financiare kineze. Projekti i njohur si “Brezi dhe rruga” vlerësohet të jetë dy miliardë dollarë amerikanë. Në projektet e modernizimit të hekurudhave serbe përfshihet edhe një kredi nga Rusia.

Hekurudha Beograd-Bupadest është pjesë e nismës “Brezi dhe rruga” dhe është qëllim strategjik i atij vendi për lidhjen e portit grek të Pireut me Evropën Qendrore, pra përmes Hungarisë si një nga vendet anëtare të BE-së.

Harta e projektit kinez "Brezi dhe rruga".
Harta e projektit kinez “Brezi dhe rruga”.

Mali i Zi po ndërton një autostradë me një kredi kineze prej 944 milionë dollarë dhe atë po e ndërton një kompani kineze. Qendra për Zhvillim Global nga Uashingtoni bëri të ditur se Mali i Zi është i vetmi vend evropian në rrezik nga kurthi i borxhit ndaj Kinës.

Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë, në pjesën e Republikës Serbe, termocentrali Stanari afër Doboj në veri të vendit është ndërtuar me një kredi prej 350 milionë euro, kredi e marrë nga Kina.

Pavarësisht, Bashkimi Evropian, sipas statistikave zyrtare, mbetet donatori, investitori si dhe partneri më i madh tregtar në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2014, Bashkimi Evropian çdo vit ka dhuruar rreth një miliard euro ndihmë për qytetarët e rajonit.

Përgatiti: Donika Alihajdaraj

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments