Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli sot ka qëndruar për vizitë në objektin e Universitetit të Tetovës në qytetin e Kumanovës, me ç’rast ka ndjekur nga afër procesin e regjistrimit të hapur ditë më parë në këtë Universitet.
Në një prononcim për indeks.mk, Zejneli është shprehur i lumtur me interesimin që kanë shprehur maturanëtë për t’u regjistruar dhe vazhduar shkollimin dhe duke zgjedhur pikërisht, Universitetin e Tetovës.
Rektori Zejneli njofton se për dallim nga viti i kaluar, numri i nxënësve që dëshirojnë të regjistrohen në UT, është dyfishuar.
Flet edhe për drejtimet e reja dhe profesionalizmin e stafit akademik që është i angazhuar në Universitetin e Tetovës dhe drejtimet e reja të akredituara për këtë vit të ri akademik.
Në prononcimin e tij për indeks.mk, Zejneli foli edhe për konviktin e ri, me ç’rast falënderoi Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë në tërësi për angazhimin, ndërsa hapjen e këtij konvikti shtetëror e cilësoi si investim të madh e të qëlluar.
Shtoi se hapja e konviktit do të ndikojë në mënyrë pozitive tek studentët dhe familjarët e tyre sepse siç thotë do të shkurtohen harxhimet dhe kjo sipas tij, do të jetë një lehtësim i madh ekonomik, social për të gjithë familjarët e studentëve që kanë vendosur që jetën akademike ta fillojnë dhe përfundojnë në Universitetin e Tetovës.
Për më shumë, ndiqeni prononcimin e plotë të Rektorit të Universitetit të Tetovës, z. Jusuf Zejneli të dhënë për indeks.mk.