Real Madrid ka fituar ‘El Clasicon’ kundër Barcelonës.
Skuadra e Real Madrid ka arritur që të fitojë 3-1 në ‘Camp Nou’ dhe në këtë mënyrë merr kryesimin e La Ligas me 13 pikë të grumbulluara.
Kjo ishte një nga klasiket më interesante në vitet e fundit, me skuadrat që regjistruan numër të madh të rasteve për shënim.
Ishte vetëm minuta e 5’ e ndeshjes kur Real Madrid zhbllokoi rezultatin me golin e shënuar nga Fede Valverde. Barca reagoi shpejtë, duke gjetur golin me anë të Ansu Fati, i cili mori një asistim fantastik nga Jordi Alba.
Karim Benzema dhe Leo Messi mund të ndryshonin shifrat në pjesën e parë, por në portë u treguan të saktë Courtois e Neto.
Në pjesën e dytë, Real Madrid ishin më konkretizues sesa Barcelona. Ishte momenti i minutës së 62’ ai që vendosi fatin e takimit, me Sergio Ramos që fitoi një penallti të cilën e konvertoi në gol.
Real Madrid pati edhe dy raste të mira shënimi deri në fund, me anë të Toni Kroos e Sergio Ramos, por Neto u tregua i vëmendshëm në të dy rastet.
Rezultatin final e vulosi ish-fituesi i Topit të Artë, Luka Modric, i cili shënoi në minutën e 90’, pasi i bëri një shëtitje portierit të katalanëve. Kroati goditi me të jashtmen e këmbës së djathtë për të dërguar topin në rrjetë.