Pas një dite përplot reagime dhe kritika ndaj deklaratës së ministres së Arsimit dhe Shkencës, ku thotë se “nuk do të ketë libra për gjuhët e huaja”, e cila rezultoi me kërkim falje nga ana e saj pasi siç tha, “deklarata është formuar keq“, ka reaguar edhe zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu..
Reagimin e tij e ka dërguar partia Alternativa, ndërkaq në të sigurohet se “libra të gjuhës shqipe do të ketë”.
Aliu madje thotë se deklarata e ministres, është “dezinformim i qëllimshëm për të krijuar huti”.
“Nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës tani më janë përgatitur dhe janë distribuuar tekstet shkollore për lëndën e Gjuhës shqipe për arsimin fillor sipas konceptit të ri për arsimin fillor, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Janë në proces tekstet për klasën e shtatë, meqë këtë vit duhej të vazhdohej me konceptin e ri, ndërkaq klasa e tetë dhe e nëntë vazhdojnë sipas programit të vjetër dhe librat janë, sipas programeve ekzistuese.
Kjo ka të bëjë me tekstet shkollore për lëndën e Gjuhës shqipe“, ka thënë zv/ministri i Arsimit.