Vonë pasdite ka arritur një reagim nga kabineti i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi lidhur me akuzat e BDI-së se ai në takim me delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë ka folur në maqedonisht. Në reagim shkruhet se pretendimet e BDI-së janë tërësisht të pavërteta dhe shtrembërim i qëllimshëm i fakteve.
“Për herë të parë në historinë e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë u prit me protokollin më të lartë shtetëror, duke reflektuar përkushtimin e kryeparlamentarit Gashi për të nxitur marrëdhënie të fuqishme dhe të respektueshme me Republikën e Shqipërisë. Takimi ishte plotësisht transparent, i hapur për publikun dhe mediat, ku kryeparlamentari Gashi mbajti fjalimin e tij në gjuhën shqipe dhe maqedonase, duke iu përmbajtur me përpikëri ligjit, Rregullores dhe Kushtetutës. Çdo deklaratë ndryshe nga kjo, paraqet akuzë të pabazë dhe fyerje jo vetëm për kryeparlamentarin Gashi, por edhe për vetë institucionin e Kuvendit dhe tentim për shtrembërim të së vërtetës. Këto pretendime i minojnë vlerat e së vërtetës dhe unitetit”, shkruhet në reagimin e kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.