Arben Fetai përmes një shkrimi në rrjetin sociale Facbeook ka reaguar në lidhje me gjendjen që u krijua në VLEN, pasi u përça Aleanca për Shqiptarët që ishte brenda koalicionit VLEN, përcjell TV21. Duke tërhequr një paralele me Revolucionin Francez, Fetai shkruan “Kur një lëvizje fillon të konsumojë njerëzit e saj për shkak të apetiteve të fraksioneve, ndonjëri prej tyre mund të forcohet përkohësisht, por në fund, lëvizja e han kokën e vet”.Me lëvizjet e fundit të ASH-së brenda VLEN-it, Arben Fetai mbetet pa asnjë deputet. Mimoza Musa dhe Ilir Demiri u bashkuan me grupin e Azir Aliut.
Revolucioni i ha bijtë e vet”… dhe në fund e han kokën e vet
Kjo shprehje lindi gjatë Revolucionit francez, i cili rrëzoi monarkinë absolute nën idealet e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, por që përfundoi në përçarje, terror dhe në vetëshkatërrim.
Forcat revolucionare ishin tejet heterogjene dhe të bashkuara thuajse në vetëm një pikë: rrëzimin e monarkisë.Fraksionet kryesore që e arritën këtë qëllim ishin Zhirondinët, Jakobinët dhe të moderuarit “Feuillants”.
Zhirondinët kërkonin një republikë të decentralizuar me autonomi të fortë rajonale. Në vitin 1793, ata u targetuan nga Jakobinët dhe u eliminuan. Udhëheqësit e tyre, përfshirë Vergniaud, të cilit i atribuohet shprehja “Revolucioni i ha bijtë e vet”, përfunduan në gijotinë.
Fraksioni “Feuillants” ishin të moderuar që kërkonin një monarki kushtetuese. Edhe ata u çbënë nga terrori i Jakobinëve dhe u gijotinuan, të akuzuar për simpati ndaj mbretërisë.
Jakobinët, fraksioni më radikal, morën pushtetin dhe vendosën terrorin si instrument të drejtësisë revolucionare. Por edhe brenda tyre shumë shpejt nisën spastrimet: fillimisht u gijotinuan hebertistët për “radikalizëm të tepruar”, pastaj dantonistët për “butësi ndaj armiqve”. Në fund, edhe vetë zbatuesit e terrorit, Malësorët u çbënë. Lideri i tyre, Robespierre, u rrëzua dhe u gijotinua nga ata që deri dje ishin aleatët e tij.
Intrigat, pabesitë, spastrimet e pafundme dhe auto-kanibalizmi të motivuar nga etja për pushtet, shkatërruan elitën revolucionare, zhgënjyen shoqërinë dhe krijuan një vakum politik.
Mbi këtë vakum u ngrit gjenerali Napoleon Bonaparte, i cili në vitin 1799 e përmbysi revolucionin dhe më pastaj e shpalli vetën Perandor, duke rikthyer tiraninë dhe monarkinë absolute.
Mësimi është i thjeshtë: kur një lëvizje fillon të konsumojë njerëzit e saj për shkak të apetiteve të fraksioneve, ndonjëri prej tyre mund të forcohet përkohësisht, por në fund, lëvizja e han kokën e vet.
