Ministria e Jashtme ruse tha se vendimi i sotëm i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës kundër presidentit të Republikës Srpska (RS) Milorad Dodik “do të ketë pasoja katastrofike për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin”.
“Ne paralajmërojmë pjesëmarrësit e huaj në procesin e pas konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë, vendet e rajonit dhe gjithë komunitetin botëror: Nëse arrihet një vendim fajësie, atëherë pasojat katastrofike për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Ballkan në tërësi janë të pashmangshme”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse, siç raportojnë mediat e Sarajevës.
Ata shtojnë se “akuzat kundër Presidentit të zgjedhur në mënyrë legjitime të Republika Srpska, dhe në të vërtetë kundër gjithë popullit serb, bazohen në dispozitat e një pseudo-ligji që iu imponua arbitrarisht Bosnjës dhe Hercegovinës sovrane nga Përfaqësuesi i Lartë i vetëshpallur Christian Schmidt, qartësisht jashtë kornizës ligjore”.
Ministria ruse vlerësoi se gjyqi, i cili zgjati një vit e gjysmë, nuk ishte gjë tjetër veçse “një parodi e drejtësisë dhe një tallje e paturpshme e themeleve të shtetit ligjor” që në fillim.
“Persekutimi i Milorad Dodik është i një natyre thjesht politike, i frymëzuar nga Perëndimi, i cili, përmes duarve të kukullave të tij në sistemin gjyqësor të Bosnjë-Hercegovinës, shpreson të largojë nga skena politike forcat patriotike të Republikës Srpska që kundërshtojnë neo-kolonializmin euroatlantik”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.
Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës dënoi sot Dodikun me një vit burg për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësueses së Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe e ndaloi atë të ushtrojë postin e Presidentit të Republikës Srpska për gjashtë vjet, nga data kur vendimi merr formë të prerë.
Aktgjykimi është aktgjykim i shkallës së parë që mund të ankimohet. Vendimi përfundimtar do të jepet nga Këshilli i Apelit i Gjykatës së BeH.