8.7 C
Tetovo
E premte, 1 Nëntor, 2024
BallinaLajmeReagimet e para për Vetëvendosjen, Kovaçevski dhe Mickoski: Të respektohen normat dhe...

Reagimet e para për Vetëvendosjen, Kovaçevski dhe Mickoski: Të respektohen normat dhe ligjet e zgjedhjeve

Në listat e opozitës shqiptare për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të ketë edhe përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje e Kosovës. Kështu njoftuan dje nga Lidhja Europiane për Ndryshim, duke njoftuar se e gjithë fushata dhe programi politik, do të qëndiset në bashkëpunim mes tre partive që formuan Lidhjen Europiane për Ndryshim, dhe Vetvendosjen. Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski, nuk ka asgjë të keqe nëse partitë simotra mbështeten mes vete, mirëpo sipas tij, opozita duhet të risqarohet rreth deklaratave për pjesëmarrje të Vetëvendosjes në zgjedhje. Kovaçevski thotë se duhet të shihet ligji për zgjedhje dhe parti politike sepse nuk është në rregull parti nga shtetet fqinje vijnë dhe marrin pjesë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

“Duhet të shihet ligji për parti politike, ligji për zgjedhje. Normalisht se partitë simotra mund të mbështeten mes tyre, si ne partitë social demokrate nga bota dhe rajoni. Mirëpo modeli për të cilin flasin, me të vërtetë nuk ishte e qartë në ndonjë deklaratë që u dha dhe duhet të risqarohet. Sepse nëse fillojnë partitë politike nga fqinjësia të marrin pjesë në zgjedhje, atëherë mund të paramendoni çfarë mund të ndodhë nëse vijnë edhe nga shtetet tjera të marrin pjesë në zgjedhje tek ne”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Përfshirjen e Vetvendosjes në listat zgjedhore të opozitës shqiptare, kreu i VMRO-DPMNE-së e cilëson si folklor para zgjedhjeve. Sipas tij, ata që duan të marrin pjesë në zgjedhje, duhet t’i përmbushin normat ligjore dhe kushtetuese.

“Shihni, kjo supozoj është pjesë e folklorit që vijon në këtë periudhë parazgjedhore. Ky është një vendim i atyre që e kanë zgjedhur. Mendoj që për të qenë pjesë e listave, duhet të jenë shtetas të Maqedonisë, t’i përmbushin normat ligjore dhe kushtetuese. Mendoj që gara zgjedhore duhet të jetë garë ku do të kryqëzohen vizioni dhe strategjia për zhvillimin e Maqedonisë e nëse dikush ka ide të tjera, duhet të tregojë”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Analisti politik Sefer Selimi, thotë se ky veprim i Vetëvendosjes që të veprojë në skenën politike të një shteti tjetër, pa patur të formuar subjekt politik, është veprim i paprecedent për politikën shqiptare. Sipas Selimit, përfshirja e Vetëvendosjes në zgjedhje, nuk do të ketë ndikim në ndarjen e votave sepse siç thotë, shqiptarët e Maqedonisë kanë politikën e vet autentike.

“Unë nuk pres se do të ketë ndonjë efekt në mobilizimin e votave për opozitën sepse të gjitha partitë që kanë formuar këtë koalicion parazgjedhor janë njerëz të cilët politika në Maqedoni i ka konsumuar. Janë njerëz të cilët kanë mbajtur funksione publike dhe nuk sjellin asgjë në kontekstin e nevojës apo dëshirës për ndryshim në skenën politike”, pohoi Sefer Selimi – Analist.

Përndryshe dje Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, tha se arsyeja pse Vetvendosje po e ndihmon opozitën shqiptare, është që të sjellë ndryshime që t’i zhdukin politikat korruptive dhe t’i eliminojnë diskriminimet e shqiptarëve./TV21

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments