Reagime të pritshme pas fjalimit vjetor të shefit të shtetit, Stevo Pendarovski. Për Antonio Milloshovskin nga VMRO-DPMNE, Pendarovski në fjalimin e tij nuk tha asgjë, ndërsa kjo ka pasur për qëllim që t’i vardiset LSDM-së që përsëri ta kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Ky ishte një fjalim i zbrazët përplot lajthitje drejtuar kryesisht ndaj LSDM-së, ku do të vendosin nëse Pendarovski përsëri do të jetë apo jo kandidat i tyre për zgjedhjet presidenciale. Pajtohem vetëm me një fakt nga fjalimi i Pendarovskit – që ky është fjalimi i fundit i tij në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.”- deklaroi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Fadil Zendeli nga Besa tha se në fjalimin e Pendarovskit ka pasur vetëm konstatime që tashmë janë të njohura për të gjithë.
“Kishte vetëm konstatime nga ajo që të gjithë i dimë, i dimë edhe ne deputetët, por edhe qytetarët. Ata pika që ai i përsëriti sot në Kuvend, janë probleme të qarta që i ka shoqëria, por në asnjë rast nuk dha ndonjë drejtim se si ato duhet të tejkalohen.”- tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.
Deputetët e LSDM-së me lëvdata për fjalimin e të parit të shtetit. Martin Kostovski nga kjo parti tha se ai ka pasur porosi të rëndësishme se shteti duhet të vazhdojë rrugën drejt BE-së.
“Lidhja socialdemokrate e Maqedonisë e përshëndet faktin që presidenti Pendarovski ende ka qëndrim të fortë se shteti duhet të qëndrojë në rrugën europiane dhe në orientimin pro europian. Për shkak se është alternativa jonë e vetme. Anëtarësimi në BE d.m.th. standard më i mirë për të gjithë qytetarët.”- Martin Kostovski, LSDM.
Pajtohemi me të gjithë temat që i hapi Pendarovski në fjalimin e tij, tha Arbër Ademi nga BDI.
“Ajo që duhet të theksohet edhe në këtë rast janë dy çështje, mirëmbajtja e raporteve të mira ndëretnike dhe të kursit europian të shtetit. Në fakt këto janë tema për të cilat angazhohet edhe BDI që nga formimi e deri më sot”- tha Arbër Ademi, BDI.
Halil Snopçe nga ASH vlerësoi se fjalimi i Pendarovskit përputhet me kërkesat e partisë së tij.
“Në fakt në ndonjë mënyrë ndoshta ne gjejmë aleat te Presidenti dhe veçanarisht më vjen mirë që dërgoi apel deri te deputetët që përbërja e ardhshme parlamentare të angazhohet për largimin e të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve për të cilët faktikisht ekzistojnë dyshime se punën e kryejnë në mënyrë të papërgjegjshme, që korrespondon edhe me angazhimin tonë.”—pohoi Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në Kuvend mbajti fjalimin e tij vjetorë para deputetëve.