Pas sulmeve dhe incidenteve të mbrëmshme kundër shqiptarëve gjatë ndeshjes së djeshme të basketbollit në Kumanovë, sot kanë ardhur edhe reagimet e para nga Klubi i Basketbollit BC Çair dhe Aleanca për Shqiptarët e Selës, nga ku thonë se dënojnë veprimet, duke i konsideruar kjo e fundit edhe si skenar për destabilizim.lubi i Basketbollit BC Çair 2030 ka reaguar fuqishëm pas incidenteve të rënda që ndodhën gjatë dhe pas ndeshjes ndaj KK Kumanovës, e zhvilluar dje në kuadër të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut.
Në deklaratën zyrtare, klubi shpreh shqetësimin për atmosferën e tensionuar dhe thirrjet raciste të tifozëve vendas, të cilët brohorisnin fyerje me përmbajtje etnike. “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”, ishte një nga parullat e turpshme që u dëgjua në sallë, duke krijuar një atmosferë të papranueshme në një ngjarje sportive.
Si pasojë e këtyre skandaleve, delegati i ndeshjes urdhëroi zbrazjen e sallës, por incidentet nuk përfunduan aty.
“Pas ndeshjes, autobusi i ekipit BC Çair 2030 u sulmua, ndërsa mbi të u shkruan parulla me përmbajtje nacionaliste dhe fyese. Po ashtu, disa nga lojtarët tanë u përballën me sulme fizike nga persona të papërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e BC Çairi 2030.
BC Çair 2030 e dënon ashpër këtë akt vandalizmi dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të hetuar dhe ndëshkuar autorët e dhunës.
“Sporti duhet të mbetet vend i rivalitetit të shëndetshëm, respektit dhe bashkimit, e jo i urrejtjes dhe dhunës. Ne kërkojmë që aktet e tilla të ndëshkohen në mënyrë që të mos përsëriten më në arenat tona sportive”, përfundon reagimi i klubit.
Nga ana tjetër Alenaca për Shqiptarët e Ziadin Selës thotë se fyerjet dhe sulmi në Kumanovë, janë skenar për destabilizim dhe defokusim nga përgjegjësia e Qeverisë për Koçanin.