Theksimi i ikonografisë provokative nacionaliste që promovon ide shoviniste të shtetit të madh paraqet nxitje e urrejtjes etnike dhe padurimit me ç’rast që padyshim sulmohen parimet dhe vlerat themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe të konceptit të Maqedonisë si shtet multietnik, thuhet në reagimin nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, me rastin e vizitës së kryeministrit kosovar Albin Kurti.
“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të ndëshkohen me ligj për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit dhe himnit të shtetit dhe flamujve dhe simboleve të bashkësive, me injorim të plotë të simboleve të shtetit. Në këtë drejtim u bëjë thirrje organeve kompetente që në afat më të shkurtër të mundur t’i përfundojnë procedurat e përcaktuara”, nënvizohet në reagimin nga Pendarovski.
Mënyra e realizimit të idesë për riemërim të rrugës në Komunën e Çairit, thuhet në reagimin nga Pendarovski, është në kundërshtim me parimet e debatit demokratik dhe respektim të trashëgimisë historike të të gjithë bashkësive në shtet.
“Në këtë kuptim, pres që shërbimet inspektuese kompetente të verifikojnë se nëse gjatë sjelljes së vendimit është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, që duhet t’i përfshijë edhe votat e bashkësive të cilët nuk janë shumicë në këtë komunë”, qëndron në reagimin me shkrim nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski.
Shfaqja e flamujve të cilët nuk janë shtetëror është në kundërsthim me protokollet dhe ligjet për organizimin e ngjarjeve në prezencë të shtetarëve të vendeve të huaja. Lloji i ikonografisë i vërejtur në ngjarjen në Tetovë në prezencën e përfaqësuesit të lartë të një shteti të huaj është joadekuate dhe e papranueshme në një vend anëtar të OKB-së dhe vend anëtar të NATO-s dhe në atë drejtim ju informojmë se, SPB Tetovë ndërmerr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjes së plotë të rastit, reaguan nga kabineti i kryeministrit Dimitar Kovaçevski, pasi mbrëmë në sheshin në Tetovë, me rastin e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryetari i komunës Bilall Kasami organizoi manifestim të madh, në të cilin u valëvit një flamur me hartën e Shqipërisë së madhe. Në tubim, u valëvitën edhe një numër i madh i flamujve shqiptar.
Nga kabineti i kryeministrit, kanë dënuar edhe faktin që në ngjarjen e organizuar në territorin e RMV-së, nuk është intonuar himni shtetëror i Maqedonisë dhe nuk është shfaqur flamuri shtetëror maqedonas.