Ky propozimligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është vula e nënshtrimit – dhe si i tillë, mund të shërbejë vetëm si gomë shpëtimi për vLEN-in dhe VMRO-në që këtë fushatë parazgjedhore ta paraqesin si një përpjekje për gjoja avancim të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në ligj. Në fakt, me ketë zgjidhje ligjore të krijimit të Trupit Koordinues pranë Qeverisë, rikthehet në formë tjetër Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (ligjërisht shumëfish më i fuqishëm se trupat kordinues) , që u vendos pas vitit 2001 dhe që më pas, me sukses, u zëvendësua nga mekanizmi i balancuesit dhe Ministrinë për sistem politik dhe marrëdhënie ndëretnike.Ky propozim përfaqëson një grumbull parimesh doktrinare e proklamuese, që nuk gjejnë zbatim në praktikë, për shkak të mungesës së mekanizmave detyrues, të kontrollit dhe të sanksionit. Në thelb, do të jetë një organ i verbër që do të luajë rolin e avokatit të popullit, duke prodhuar Raporte periodike për gjendjen e përfaqësimit dhe barazisë në vend.
vLEN-i si një konglomerat politik i paaftë, i paditur dhe jo dinjitozë në variantin më të mirë – ose vasal – në variantin më të keq, vazhdon të qëndojë në pushtet me çdo kusht, edhe si humbës por me poste, dhe që është dëshmia më e qartë e ideologjisë së tyre politike dhe kombëtare.
Ky ligj, pa asnjë dyshim, nuk mund të kalojë në Kuvend, sepse vLEN-i dhe padroni DPMNE nuk e kanë shumicën e dyfishtë të nevojshme (votimin me Badenter). Por do të përdoret si instrument bazë për kakofoninë e tyre zgjedhore.
Zgjedhjet e ardhshme janë referendum:
A duan shqiptarët të jenë vasalë, apo zotër në këtë shtet të përbashkët të Maqedonisë së Veriut?
P.S. Është në nderin e anëtarëve shqiptarë të këtij “grupi punues të ligjit” që të deklarohen, respektivisht të distancohen nga ky propozim!
– Aleanca për Shqiptarët