Anulimi i seancës publike në Gjykatën e Apelit në Shkup për rastin “Titanik 2” ku i akuzuar është ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, ka mundësuar që ai të lirohet nga akuza për shkak të vjetërsimit të lëndës.
Seancën e radhës për këtë rast, Apeli e ka caktuar më 13 prill, teksa akuza ndaj Mijallkovit vjetërsohet më 7 prill. Zhvillim i tillë i ngjarjeve pamundëson Gjykatën e Apelit që të sjellë vendim para se lënda të vjetërsohet.
Si shkas për anulimin e seancës ishte mungesa e palëve në gjykim, me arsyetimin se nuk janë njoftuar në kohë për mbajtjen e seancës. Nga 6 të akuzuarit në këtë proces, prezent ishin vetëm Sasho Mijallkov dhe Bedredin Ibraimi.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gjoko Ristov, njoftoi se lënda nga Prokuroria e lartë publike në Shkup, ku e kanë dërguar për mendim, është kthyer në gjykatë më 24 mars .Tha se menjëherë kanë caktuar seancë publike dhe janë munduar t’i njoftojnë palët për mbajtjen e seancës publike.
Rasti “Titanik 2” ka të bëjë me marrëveshjet për votim në Komisionin shtetëror zgjedhor në bazë të parashtresave të dorëzuara nga zgjedhjet lokale në vitin 2013 në Strumicë, në favor të VMRO-DPMNE-së.
Gjykata e shkallës së parë gjatë rigjykimit e dënoi Mijallkovin me 2 vite burg për marrjen shpërblimit për ndikim kundërligjorë, ndërsa të akuzuarit e tjerë u dënuan për “shkelje të së drejtës së votës”. Edhe pse gjykimi për këtë rast ka zgjatur pothuajse 5 vite me rigjykim, nuk arriti të marrë një epilog përfundimtar me aktvendim të plotfuqishëm.