BDI përmes një reagimi ka drejtuar akuza në adresë të VLEN-it, sic thuhet, për lirimin e të dënuarve për sulmin e 27 prillit 2017, që synonte të pengonte zgjedhjen e Kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit dhe rrezikoi jetën e deputetëve.
Lirimi i turpshëm, sic thonë nga BDI, u paralajmërua nga fotot e publikuara të autorit kryesor të sulmit Goran Angelov – Qoseto.
“Lirimi i turpshëm u paralajmërua nga fotot e publikuara të autorit kryesor të sulmit Goran Angelov – Qoseto, me zëvendësit e Afrim Gashit, Izet Mexhiti dhe Arben Taravari – dëshmi e rolit të VLEN-it në mbështetjen e atyre që kërcënojnë rendin kushtetues dhe harmoninë ndëretnike. Pas këtyre veprimeve, është e natyrshme që VLEN të shpallë edhe ish-Zëvendëskryeministrin Koço Angjushev “Biznesmeni i Vitit,” jo se është në listë të zezë, por si mentor dhe aleat i padronit të tyre në qeveri.Urime gjithashtu për shpalljen si hero të policit që përdhosi flamurin shqiptar, një tjetër shembull i qartë i përbuzjes ndaj simbolikës dhe dinjitetit të shqiptarëve nga VLEN” – thonë nga BDI.
Për një muaj u shpartallua kulla e ndërtuar për dy dekada me krim dhe korrupsion! – kundërpërgjigjen nga koalicioni VLEN, duke përmendur raste sikurse sanksionet amerikane kundër Grubit, bastisjet policore, arratisjet, masat ndaj Merkos, sic thonë, viktimizimin e të rinjve shqiptarë duke i përfshirë në djegie flamujsh, korrupsionin si dhe akuza për rikthimin e Nikolla Gruevskit.
“Çdo minutë që këta shërbëtorë kanë qëndruar në pushtet ka shkaktuar dëme të pariparueshme për shqiptarët dhe dinjitetin tonë kombëtar. Ata, me tërë qenien e tyre, kanë qenë të vendosur në shërbim të Mijallkovit dhe Gruevskit. Mbi qindra akte diskriminuese dhe poshtëruese ndaj shqiptarëve janë realizuar nga një grup njerëzish që operojnë nën logon e një partie tashmë të shpallur non grata: BDI” – thonë nga VLEN.
Ndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dërguar mendimin se ligji për amnisti mund të zbatohet edhe për ish-Kryeparlamentarin, Trajko Veljanovski si dhe ish-Ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski.
Për këtë cështje Gjykata Penale do të prononcohet më 23 janar.
Kërkesa e palës mbrojtëse për zbatim të ligjit, për trajtim të barabartë para ligjit sikurse për të dyshuarit tjerë dhe të akuzuarit që fituan amnisti në bazë të ligjit të njëjtë, është dicka që nuk mund të kontestohet, është qëndrimi i Prokurorisë.