Të gjitha vendet dhe territoret evropiane vazhdojnë të harmonizojnë politikat e tyre të vizave me BE-në dhe gëzojnë përfitimet e regjimit pa viza, ndërsa i vetmi vend në kontinent, regjimi i të cilit pa viza është aktualisht nën kërcënim është Gjeorgjia, për shkak të trazirave të fundit në atë vend.
Komisioni i BE-së miratoi raportin e shtatë në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit të Vizave, i cili përdoret për të monitoruar regjimet pa viza që BE-ja ka me partnerët e saj nga Ballkani Perëndimor.
“Për fqinjët e BE-së, vazhdimi i procesit të liberalizimit të vizave mbetet një mjet i fuqishëm për të mbështetur reformat dhe për të forcuar bashkëpunimin me BE-në në fushat e migracionit, menaxhimit të kufijve dhe sigurisë.
Komisioni konsideron se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë marrë masa për t’iu përgjigjur disa rekomandimeve të bëra në raportin e gjashtë në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit të Vizave. Megjithatë, ata ende duhet të ndërmarrin veprime të mëtejshme, veçanërisht për të harmonizuar politikën e tyre të vizave me politikën e vizave të BE-së”, thuhet në raportin e fundit.
Për Ukrainën dhe Kosovën thuhet se ka ende kushte për një regjim pa viza, por duhet të merren masa nga rekomandimet e Komisionit të BE-së, ndërsa për Gjeorgjinë po mendohet pezullimi i vizave për disa kategori të qytetarëve.