Nga Ekonomia Online
Ndaj debatit të tensionuar lidhur me ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë, ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke porositur qytetarët që të bashkohen dhe të respektojnë besimet e njëri-tjetrit.
Haradinaj në Facebook ka shkruar se populli shqiptar gjithmonë ka qenë shembull i bashkëjetesës vëllazërore ndërmjet besimeve të ndryshme.
“Asnjëherë nuk i kemi diktuar të tjerëve se si duhet të besojnë apo çfarë tempuj e faltore duhet të ndërtojnë. Si popull duhet të jemi krenar për besimin në Zot”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari i AAK-së ka porositur të gjitha bashkësitë fetare që t’i shërbejnë qëllimeve të përbashkët, e që janë vëllazëria e solidariteti.
“Të gjitha bashkësitë fetare duhet t’i shërbejnë qëllimeve tona të përbashkëta, vëllazërisë e solidaritetit mes nesh. Të bashkuar i kemi kaluar të gjitha sfidat që na solli historia. Ashtu duhet të vazhdojmë edhe më tutje”, ka shkruar ai.