3.3 C
Tetovo
E premte, 22 Nëntor, 2024
BallinaLajmeRama nga New Yorku: Të korruptuarit s’i godet as PS-ja e as...

Rama nga New Yorku: Të korruptuarit s’i godet as PS-ja e as SHBA-ja, por drejtësia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi nga Nju Jorku ku po mban një takim me shqiptarët që jetojnë e punojnë atje, se nuk është roli i SHBA-së dhe as hakmarrje e Partisë Socialiste në goditjen ndaj politikanëve të korruptuar, por i drejtësisë së re.

Duke bërë një rezyme të reformës në drejtësi, kreu i qeverisë tha se tashmë nuk ka zyrtarë dhe politikanë të nivelit të lartë që të jenë të paprekshëm, teksa kujtojmë këtu që pak ditë më parë u vendos në pranga dhe më pas u la në arrest me burg ish-presidenti i vendit, Ilir Meta.

Rama tha se drejtësia e re po godet edhe në radhët e mazhorancës socialiste.

“I hoqëm duart e pushtetit politik nga drejtësia. E bëmë me vetëdijen e plotë për koston e pashmangshme politike të goditjeve që drejtësia e re po jep edhe në vetë radhët tona, ku askush nuk është më i paprekshëm dhe cilido që kërkohet nga drejtësia nuk merr asnjë lloj mbrojtje politike nga ne. Ky është investimi më i madh politik i Partisë Socialiste dhe kjo është shprehja më shembullore tre herë rresht dhe do të votojnë përsëri për ta bërë Shqipërinë një shtet evropian të së drejtës në Bashkimin Evropian ku barazia para ligjit vlen njësoj si për qytetarin e zakonshëm si për Kryeministrin e vendit”, tha Rama në fjalën e tij para shqiptarëve në Nju Jork.

Ai vuri në dukje se arrestimet e figurave politike që akuzohen për korrupsion nuk vijnë me udhëzimet e amerikanëve, por nga drejtësia e reformuar, pasi sipas tij, SHBA ka qenë e pranishme në Shqipëri edhe para ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet.

“Me siguri ju këtu lexoni sa shumë përpjekje bëhen përmes kanaleve mediatike; se ose reforma në drejtësi është një blof për të goditur kundërshtarët politikë përmes organeve të reja të drejtësisë, ose ekstremi tjetër e bëri Amerika dhe se goditjet e shumëpritura nga opinioni i gjerë publik të të korruptuarve të paprekshëm në Shqipëri po i bën Amerika. Po Amerika aty ishte edhe para ardhjes sonë në qeveri, fuqinë e saj e kishte po aq të madhe saç e ka. Si ka mundësi nuk e solli më parë këtë peshqesh të madh për shqiptarët që e kërkonin drejtësinë edhe më parë por jetonin nën drejtësinë e korruptuar dhe të nënshtruar kokë e këmbë ndaj pushtetit politik”, u shpreh Kryeministri.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments