Kryeministri në ‘France 24’: Nuk besoj se do të bëhen shkak për historitë e Mafias.
Në intervistën dhënë në emisionin “Këtu Europë” për televizionin ‘France 24’ kryeministri Edi Rama është pyetur për marrëveshjen e nënshkruar me homologen italiane Georgia Meloni
Gazetarja franceze: Edi Rama përshëndetje, po kujtoj që jeni kryetar i Partisë Socialiste, keni marrë drejtimin e qeverisë para 10 vitesh saktësisht, pra mandati i tretë. Më 7 Nëntor ju firmosët një marrëveshje me kryeministren Giorgia Meloni, e së djathtës konservatore, një marrëveshje migracioni e befasishme dhe e pazakontë. Përse kjo marrëveshje surprizë që i kapi të gjithë në befasi?
Kryeministri Edi Rama: Duhet theksuar një arsye shumë e thjeshtë. Është e vërtetë që Shqipëria nuk është ende vend anëtar i BE, por është vend plotësisht evropian, fqinj me Italinë, dhe sikur e njëjta marrëveshje të ishte bërë me një vend të BE, nuk do të ishte fare lajm i ditës. Por fakti që kjo marrëveshje bëhet me një vend jo anëtar shkakton, jo vetëm lajm, por dhe teori konspiracioni dhe dyshime që nuk janë serioze, për mua. Nëse ngremë pikëpyetje për metodën, duhet të ngremë pikëpyetje për gjithë Bashkimin Evropian, duhet të ngremë pikëpyetje për metodën në gjithë vendet e BE, sepse këto qendra pritjeje nuk janë gjë e re. Bëhet fjalë për një qendër pritjeje që është standard në të gjitha vendet e BE.
Gazetarja franceze: Vetëm se është e eksternalizuar, sikurse e thatë mirë, jashtë territorit të BE. Edhe në vendin tuaj ka ngjallur habi kjo marrëveshje, më tepër se 30.000 emigrantëve që mund të mbërrijnë në vit në një nga qendrat e pritjes do të vendoset në zonën e Shëngjinit 75 km larg Tiranës. Disa shqiptarë kanë frikë se kjo masë do të vërë në rrezik industrinë e turizmit lokal.
Kryeministri Edi Rama: Përse duhet të skandalizohemi nëse është e eksternalizuar nga një vend i Bashkimit Evropian në një vend plotësisht evropian që është fqinj me këtë vend evropian? Nuk duhet të skandalizohemi nga kjo, duhet të mendohemi si të reagojmë të gjithë ndaj këtij fenomeni që është gjithnjë e më i madh dhe që askush nuk i ka dhënë përgjigje. Ndoshta qendrat e pritjes nuk janë zgjidhja e vërtetë, por nuk na takon neve t’i japim mend Evropës. Ne thjesht po i japim një ndihmë të vogël një vendi jo vetëm fqinj, por me të cilin jemi të lidhur thellësisht prej një kohe të gjatë. Nga ana tjetër, duhet të them se nuk bëhet fjalë për 36 000 njerëz, por për një qendër pritjeje me 3000 vende në dispozicion. Kjo do të thotë që do të ketë 3000 njerëz në Shqipëri dhe asnjë më tepër, nëse ka rotacion kjo është diçka normale, mund të ketë më tepër njerëz që priten dhe të cilëve u shqyrtohet kërkesa në Shqipëri. Por janë 3000 njerëz. Dhe nuk mendoj se këta 3000 njerëz do të tronditin industrinë e turizmit. Sepse kemi strehuar tashmë 4000 e ca afganë…
Gazetarja franceze: Në 2021. Ju jeni social-demokrat, kur OJF si Amnisti Internacional e konsideron këtë marrëveshje të paligjshme me pasoja shkatërruese për emigrantët që mund t’i nënshtrohen një izolimi të gjatë dhe dhunimeve të tjera, kjo marrëveshje që përjashton vetëm fëmijët dhe gratë shtatzëna, nuk keni frikë se do të ndihmojë zhvillimin e trafikut shqiptar të qenieve njerëzore?
Kryeministri Edi Rama: E gjithë kjo më duket e vështirë për t’u kuptuar. E përsëris, kjo nuk është e vetmja qendër pritjeje në Evropë, ka të njëjtin standard dhe natyrë si ato në Greqi. Greqia është vend anëtar i BE dhe nuk e di nëse ka ndonjë dallim dhe ku e shohin dallimin ata që kritikojnë. Dhe 3000 njerëzit që do të vijnë në Shqipëri në qendrën pritëse të bëhen shkas për refrenin e vjetër të historive me mafiozë, me trafikantë, me të drejtat e njeriut e të tjera si këto, nuk është serioze. Duhet të mendojmë më në thellësi për këto gjëra, duhet gjetur zgjidhje…
Gazetarja franceze: Ndoshta një zgjidhje evropiane shumëpalëshe, ndoshta ajo që habiti ishte fakti që ishte marrëveshje dypalëshe.
Një çështje tjetër që u ngrit nga gazetarja franceze ishte fakti se Greqia po bllokon letrën e 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve të negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Gazetarja franceze: Z. Rama Shqipëria juaj ka probleme për t’u anëtarësuar në Klubin evropian. Greqia po bllokon letrën e 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve. Në maj të këtij viti, kandidati për Bashkinë e Himarës, shqiptar me origjinë greke, Fredi Beleri, që kandidonte për opozitën, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve i dyshuar për blerje votash. Por akuzoheni ju se po e pengoni të zgjidhet kryetar bashkie për të mbajtur nën kontroll lejet në këtë zonë bregdetare në zhvillim e sipër. Si përgjigjeni ju?
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.
Gazetarja franceze: Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!
Rama u ndal edhe në faktin se në kohën e krizës së çmimeve, të krizës energjisë Shqipëria ka patur inflacionin më të ulët të rajonit ndërsa vitin tjetër qeveria e tij do ta çojë pagën mesatare në sektorin publik në 900 Euro. Deri para 5-6 vitesh kjo ishte diçka e papërfytyrueshme.
Nga ana tjetër, shpresojmë shumë tek Bashkimi Evropian dhe plani i rritjes sepse kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin.
Klan News