Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk po beson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha të shtunën se Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet dhe se tash duhet vazhduar me Procesin e Berlinit.
Vuçiq gjithashtu u shpreh kundër asaj që tha se Rama se “duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit” dhe tha se shpreson që do ta takojë së shpejti.
“Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani”, tha Vuçiq në TV Prva.
Ai tha se do të konsiderojë gjithmonë se çdo ide e krijuar në rajon është “më e mirë se ato që vijnë nga jashtë”.
“Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër”, tha Vuçiq.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha dje nga Ulqini se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur, e që tha se ka qenë për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit.
“Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mission për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, ka thënë Rama në një intervistë për Euronews Albania.