Autoritetet shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së nivelit të ujit të lumenjve.Qindra shtëpi u përmbytën në qytetin perëndimor boshnjak Prijedor të shtunën pas reshjeve të dendura në zonë. Administrata e qytetit njoftoi të shtunën se rreth 350 ndërtesa, banimi, u prekën nga përmbytjet gjatë natës.
Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në pjesën perëndimore të Bosnje e Hercegovinës, për shkak të rritjes së nivelit të ujit të lumenjve. Sipas Radio Televizionit të Republikës Sërpska, vendimi u mor si masë parandaluese për t’u mbrojtur nga përmbytjet.
Si pasojë e reshjeve të shiut për disa ditë radhazi, në pjesën më të madhe të vendit lumenjtë dolën nga shtrati. Në komunën e Kostajnicës, në perëndim, niveli i ujit të lumit Una i kaloi 450 centimetrat.
Një banor vendas, Milan Sadjak tha se përmbytjet nga lumi Sana ndodhin vazhdimisht, por kjo është një nga më të rëndat.
Gjendje më e rënduar raportohet në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit, ku janë mbyllur disa rrugë kryesore.
Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave në zonën e prekur nga përmbytjet.