Javët e ardhshme pritet që Komisioni i Venecias t’ia dorëzojë Qeverisë vendimin e shkruar përfundimtar mbi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Nga Qeveria ende nuk zbulojnë se cilat janë rekomandimet dhe vërejtjet mbi ligjin por vetëm njoftuan se mendimi është pozitiv.Ende nuk kam pasur takim me ekipin që ishte atje vetëm e di se ligji kaloi me mendim pozitiv nga ana e komisionit të Venecias. Sapo të arrijë këtu do të hyjë në procedurë kuvendore”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Zv.kryeministri Arben Fetai të premten paralajmëroi se të gjitha rekomandimet e komisionit do të inkorporohen në draft ligjin përfundimtar që do të dorëzohet në Kuvend. Grupi i deleguar nga Qeveria të premten para komisionit të Venecias sqaruan për atë se si do të bëhet balancimi i përfaqësimit të drejtë dhe meritokracisë, cilat ligje dhe cilat institucione do të preken, cili do të jetë roli i institucioneve dhe i trupit koordinues në zbatimin e përfaqësimit të drejtë.Komisioni i Venecias pranoi draft verzionin e ligjit nga qeveria në muajin korrik, një vit pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi mekanizmin e njohur si balancuesi, në të bazë të të cilit parim, institucionet ishin të detyruara të bëjnë punësime në administratë. Draft-ligji për përfaqësim të drejtë që siguroi muaj më parë Alsat, bazohet në amendamentin VI të Kushtetutës për përfaqësim të drejtë dhe parashikon që deklarimi i përkatësisë etnike gjatë aplikimit për punë të mbetet në vullnetin e vetë qytetarit. Alsat mësoi se përkatësia do të definohet në bazë të gjuhës së letërnjoftimit si dhe kryqëzimit të informacioneve nga të dhënat personale të kandidatit.
Zbatimin e ligjit të ardhshëm do ta ndjekë një trup i formuar nga Qeveria dhe komisioni kundër diskriminimit.
