1.1 C
Tetovo
E shtunë, 18 Janar, 2025
BallinaLajmeQeveria: Mickoski, Mexhiti dhe Mucunski do të marrin pjesë në inaugurimin e...

Qeveria: Mickoski, Mexhiti dhe Mucunski do të marrin pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Tramp

Në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-ve Donald Trump, siç njoftuan nga Qeveria, do të marrin pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, ministri i jashtëm Timço Mucunski dhe zv.ministrja për çështje evropiane, Viktorija Trajkov. Siç njoftojnë nga Qeveria, kryeministri do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e titulluar “Zërat e Lirisë”, e cila do të mbahet pas inaugurimit dhe do të organizohet nga kompanitë “Trump Media” dhe “Rumble”.

“Pritet që gjatë qëndrimit, kryeministri Mickoski të zhvillojë disa takime dypalëshe, kontakte dhe takime me anëtarë të rinj të administratës së presidentit amerikan. Gjithashtu, kryeministri Mickoski do të zhvillojë takim me biznesmenë me origjinë nga vendi, ku do të diskutohet për bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për investime”, thonë nga Qeveria.

Përpos zyrtarëve qeveritarë, në inaugurim do të marrin pjesë edhe krerët e koalicionit VLEN. Duke mos saktësuar se cilët nga katër kryetarët e partive do të jenë prezentë, nga VLEN thonë se vetëm ftesa që u është dërguar, për ta paraqet nder dhe krenari.

“Me kënaqësi dhe krenari të lartë informojmë publikun e gjerë për nderin që i është bërë liderëve të koalicionit më të madh shqiptar, VLEN me çka janë ftuar të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimin e presidentit të SHBA-ve”, thonë nga VLEN.

Por nga Aleanca për Shqiptarët kanë dyshime për transparencën e udhëtimeve të pushtetarëve në Uashington. ASH-ja i bën thirrje Komisionit Antikorrupsion, të hetojë nëse shpenzimet janë në përputhje me ligjin.

“I bëjmë thirrje Komisionit Antikorrupsion që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të hetuar dhe zbardhur transparencën e plotë të udhëtimeve të liderëve të qeverisë dhe shtetit në inaugurimin e presidentit amerikan. Në veçanti, kërkojmë përgjigje për këto çështje:
1. Kush ka paguar biletat për të marrë pjesë në këtë ngjarje?
2. Kush i mbulon shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në SHBA?
3. A janë përdorur fonde publike për këto shpenzime dhe në çfarë baze janë justifikuar ato?”, thonë nga ASH.

Në inaugurimin e Trampit, është paralajmëruar prania e ish presidentëve dhe zyrtarëve të lartë të SHBA-së, shumë kryeministra dhe presidentë të shteteve tjera, por edhe krerë të organizatave më të mëdha botërore./Alsat.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments