FONDET EVROPIANE
Në Komisionin Antikorrupsion ka mbërritur një denoncim anonim se një person jo i kualifikuar është emëruar në postin e Revizorit kryesor.
Me vendim të Qeverisë, nga java e kaluar, në këtë pozitë është emëruar Afrona Verzivoli nga VLEN, që sipas njoftimeve nuk ka kualifikime adekuate për këtë pozitë.
BE-ja paralajmëroi se me kujdes do ta shqyrtojë këtë emërim të Qeverisë, duke marrë parasysh se Revizori kryesor për IPA Fondet dhe i gjithë trupi i revizorëve llogaridhënie i japin BE-së, e jo Qeverisë.
“Me rëndësi është që të gjitha emërimet në pozita kopetente në institucionet shtetërore të kryhen me respektimin e të gjitha kushteve për vendin e punës dhe kualifikimin relevant. BE me kujdes do t`i shqyrtojë emërimet, veçanërisht nëse kanë të bëjnë me shfrytëzimin e projekteve dhe aktiviteteve që financohen nga BE-ja në RMV” – tha delegacioni i BE-se ne Shkup.
Nën nenin 5 të ligjit për revizion thuhet se emërimi i revizorit kryesor për IPA fondet bëhet me thirrje publike, kurse kandidatët duhet të kenë arsim të lartë nga fusha e shkencave juridike apo ekonomike, të ketë së paku 7 vite përvojë pune por edhe të ketë certifikatë nga fusha e revizionit si dhe certifikatë të njohur ndërkombëtarisht për njohjen e gjuhës angleze. /tvklan.mk/