Paga e kryeministrit Hristijan Mickoski është 140.450 denarë, përkatësisht rreth 2.280 euro.Zëvendëskryeministrat dhe ministrat marrin pagë neto prej 115.540 denarë (1.870 euro), përveç ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, i cili për funksionin që ka, merr edhe 20 për qind shtesë në shumë prej 24.865 denarë. Paga e tij është 140.405 denarë, e njëjtë me atë të kryeministrit.
Qeveria ka publikuar në faqen e saj zyrtare në rubrikën “llogaridhënie” pagat e zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Deri para pak kohe, në faqe qëndronin pagat e anëtarëve të Qeverisë së Zoran Zaevit, para rritjes së famshme prej 78 për qind vitin e kaluar në mars, kurse Qeveria e Dimitar Kovaçevskit, në mandatin e të cilit ka ndodhur rritja e pagave të zyrtarëve, asnjëherë nuk njoftoi se sa ishin të ardhurat e tyre mujore.